Kuçi flet për “çarjet brenda partisë” dhe “vijat e kuqe” të PDK-së

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në emisionin Info Box të RTV Dukagjinit, ka theksuar se më nuk do të jetë ministër i Drejtësisë.

Ai ka thënë se ka ardhur koha që të bëjë një lëvizje, jo jashtë skenës politike, por në një ambient tjetër.

Kuçi ka folur edhe për zgjedhjen e ri të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se “PDK-ja është shembull i mirë i tranzicionit”.

“Të gjithë ne jemi angazhuar që Thaçi të jetë president i vendit. Mbetet e veçantë detyra e kryetarit të partisë të cilën deri më tani e ka ushtruar Hashim Thaçi. Me rëndësi është se brenda PDK-së nuk ka çarje dhe dilema nga anëtarët e partisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, me rëndësi është se ndërrimi i kryetarit ka kaluar pa trauma, duke shtuar se “unë jam i bindur që gara për kryetar do të jetë fer dhe demokratike”.

Kuçi ka folur edhe për vijat e kuqe ndaj partive politike, duke thënë se PDK-ja nuk ka vija të kuqe me asnjë parti politike. /Telegrafi/