Kuizet në Facebook: Çfarë ndodh me të dhënat tuaj?

Mbi 17 milionë njerëz vizitojnë një aplikacion në Facebook çdo ditë, i cili tregon fjalën më të përdorur në rrjetin social. Por kur klikon në link, të kërkohet leje për të aksesuar të dhëna personale në Facebook, si emri, fotoja e profilit, mosha, gjinia, datëlindja, lista e miqve në Facebook, dhe gjithçka që keni shpërndarë në kohështrirjen tuaj, të gjitha fotot, qytetin e lindjes, edukimin dhe gjithçka që keni pëlqyer.

Aplikacioni, i quajtur “Cilat janë fjalët më të përdorura në Facebook?, është krijuar nga kompania koreano-jugore Vonvon. Kjo kompani ka krijuar shumë kuize deri tani, por kuizi “fjalët më të përdorura” është më popullor, pasi ka arritur një audiencë prej 50 milionë njerëzish.

Aplikacioni thuhet se vjedh të dhënat personale të përdoruesve dhe i dërgon tek palë të treta. I kontaktuar nga BBC, drejtori ekzekutiv i kompanisë Vonvon, Jonghwa Kim, hodhi poshtë të gjitha këto spekulime, pasi sipas tij, firma përdor të dhënat në Facebook vetëm për të krijuar kuziet.

“Ne përdorim informacionet tuaja vetëm për të gjeneruar të dhënat, dhe nuk i ruajmë asnjëherë për qëllime të tjera”, tha ai për BBC. Ai thotë gjithashtu se asnjë nga informacionet personale nuk i shitet palëve të treta, vetëm nëse kjo lejohet nga termat dhe kushtet.

Zoti Kim e di që privatësia është një nga çështjet më të ndjeshme, prandaj kompania ka ndryshuar së fundmi kuizin e saj “Fjalët më të përdorura” për të kërkuar vetëm informacionet publike, listën e miqve dhe të dhënat e kohështrirjes.

“Ne e dimë se disa prej përdoruesve shqetësohen mbi mbrojtjen e privatësisë. Për të hequr këtë shqetësim, ne kemi bërë disa modifikime në kërkesën e të dhënave për të prodhuar përmbajtjen”, shtoi Kim. /krokodili/