Kush e vrau Xhemail Mustafën? Enigma që zgjat 15 vjet

Edhe në 15 vjetorin e vrasjes së ish-zyrtarit të lartë të LDK’së, Xhemail Mustafa, ende nuk janë kapur dorasit që e vranë pranë banesës së tij. Ndërkohë, prokuroria nuk ka kthyer përgjigje se deri ku kanë arritur hetimet në lidhje me këtë rast

Në përvjetorin e 15’të të Xhemail Mustafës, atë e ka përkujtuar vajza e tij, Beriana, shkruan Gazeta Express.

Përmes një postimi në Facebook, Beriana është shprehur e zhgënjyer me sistemin e drejtësisë në Kosovë, i cili, sipas saj, ka dështuar tërësisht për t’i gjetur urdhër-vrasësit e babait të saj.

“Edhe pas shumë spekulimeve mediale, madje edhe deklaratave të kryeprokurorit te shtetit Aleksandër Lumezi, se janë afër zbulimit të vrasësve të Xhemail Mustafës, organet e drejtësisë nuk e kanë bërë një gjë e të tillë. Dikush në Kosovë duhet të jap përgjegjësi për këto vrasje dhe vrasjet tjera që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë, ndaj njerëzve kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK duhet të gjejë më shumë forcë brenda saj dhe të kërkoj me më shumë ngulm nga organet e drejtësisë që këta njerëz të sillen para drejtësisë”, ka shkruar në Facebook, Beriane Mustafa.

Ajo, po ashtu ka thënë se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) dhe Sigurimi i Atdheut (SIA), si dy organizata të inteligjencës që kanë vepruar me vite në Kosovë duhet t’i tregojnë informacionet që i kanë përpunuar në lidhje me këto vrasje dhe t’i adresojnë ato para organeve kompetente.

“Ne nuk do të pranojnë kurrë mënyrën se si këto vrasje po heshtën dhe që vrasësit të mos identifikohen dhe të mos sillen para drejtësisë”, ka shtuar Beriana.

Ndërkohë, prokuroria nuk është përgjigjur në lidhje me atë se deri ku kanë shkuar hetimet për rastin.

Xhemail Mustafa ka qenë zyrtar i lartë i LDK’së dhe këshilltar i ish-Presidentit Ibrahim Rugova. Ai është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 para banesës së tij. Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdimisht ka kërkuar zbardhjen e vrasjeve të zyrtarëve të saj. Ndërkohë, këto vrasje jo rrallëherë janë përdorur edhe për akuza politike ndërmjet LDK’së dhe PDK’së kryesisht gjatë fushatave zgjedhore.Expres.