Plot 6 muaj nga dëmtimi i rëndë, mbrojtësi i Përfaqësueses së Shqipërisë, Mërgim Mavraj, ka shënuar dje ritkhimin në fushën e blertë nën një ngarkesë fizike maksimale.
Plot 6 muaj nga dëmtimi i rëndë, mbrojtësi i Përfaqësueses së Shqipërisë, Mërgim Mavraj, ka shënuar dje ritkhimin në fushën e blertë nën një ngarkesë fizike maksimale, pikërisht në një ndeshje zyrtare. Ndonëse jo për ekipin e parë të Koln, Mavraj ka bërë debutimin e tij për këtë sezon me skuadrën e dytë në një ndeshje ndaj Erndtebruck, e vlefshme për kategorinë e 4-t të kampionatit gjerman.
Aktivizimi i qendërmbrojtësit kuqezi për plot 90 minuta në këtë sfidë të fituar në shifrat 2-1, nga ekipi i tij, është padiskutim sinjali i shumëpritur për rikthimin përfundimtar dhe hedhjen pas krahëve të dëmtimit. Një dëmtim që e la Mavrajn jo vetëm jashtë Bundesligës për gjithë këto muaj, por njëherësh edhe e mbajti atë larg fushës edhe në momentet më vendimtare dhe historike për Kombëtaren e Shqipërisë.
Me gjasat e mëdha që do t’i bashkohet shumë shpejt ekipit të parë të Koln në Bundesliga 1, rikthimi i 29-vjeçarit, është një superlajm edhe për kuqezinjtë dhe trajnerin Gianni De Biasi, për planet e këtij të fundit, me afrimin e Kampionatit Europian “Francë 2016”. Me konsolidimin e mbrojtjes, Shqipëria nën drejtimin e De Biasit mund të mendojë vërtetë për një tjetër surprizë, kësaj here ndaj gjigandëve në Europian.
Mavraj kthimin e tij në fushën e gjelbërt e bëri edhe përmes profilit të tij në facebook: