LDK: Shpend Ahmeti të japë dorëheqje, flamurin e Kosovës e quajte pëlhurë

Kolegjiumi i Degëve të LDK-së në Prishtinë reagon ndaj deklaratave të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili e quan pëlhurë Flamurin e Republikës së Kosovës.

Degët e LDK-së e konsiderojnë të turpshme, të padinjitetshme dhe ofenduese për qytetarët e kryeqytetit dhe të krejt Kosovës përdhosjen verbale të simboleve shtetërore nga ana e Shpend Ahmetit.

“Më përpjekje që të paraqes Flamurin Kombëtar Shqiptar dhe Flamurin e Republikës së Kosovës si simbole kundërthënëse ndërmjet vete, të bëra pikërisht në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti po shkel mbi sakrificat e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, demokraci dhe për shtetin e pavarur të Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së, transmeton Telegrafi.

“As Flamuri Kombëtar Shqiptar dhe as Flamuri i Kosovës nuk mund të jenë kartë e Shpend Ahmetit në përpjekjet për t’i fshehur dështimet e gjithanshme në kryeqytet”.

“Sot, simbolet dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi e fyejnë vetëm politikanët anti-evropian të Beogradit dhe kryetari aksidental i Prishtinës me bashkëpartiakët e tij”.

Më tej, “degët e LDK-së në Prishtinë kërkojnë nga Shpend Ahmeti që të jap dorëheqje të menjëhershme dhe të liroj Komunën e Prishtinës për njerëz lojalë ndaj Republikës së Kosovës, të cilët kanë vizion, ide dhe vullnet që ta zhvillojnë Prishtinën, e jo që ta shfrytëzojnë Komunën për të rrënuar shtetin e pavarur të Kosovës, produkt i sakrificave të qytetarëve të saj dhe përkrahjes së SHBA-ve e miqve tjerë ndërkombëtarë”.

“Flamuri Kombëtar Shqiptar, Flamuri i Dardanisë i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova dhe Flamuri i shtetit të Kosovës janë simbole të shenjta të cilat duhet të nderohen dhe për to do të vendos vetëm populli i Kosovës e jo ndonjë ofiqar lokal bukëshkelës si puna e Shpend Ahmetit”, thuhet në reagim. /Telegrafi/