Legjenda i sjell fitoren Romës, humb Interi

Roma ka mposhtur në shtëpi Torinon me rezultat 3 me 2 në kuadër të xhiros së 34-të në Serie A.

Ndeshja u vulos krejt në minutat e fundit nga dy gola të shpejtë të legjendës Francesco Totti.

Andrea Belotti hapi serinë e golave në ndeshje duke shënuar në minutën e 35-të nga pika e bardhë.

Roma u kthye në ndeshje duke barazuar gjithçka përmes Konstantinos Manolas në minutën e 66-të, ndërsa Joseph Martinez riktheu sërish gjithçka në favor të Torinos 14 minuta më vonë.

Rezultatin e barazoi legjenda Francesco Totti në minutën e 87-të ndërsa dy minuta më vonë riktheu gjithçka duke realizuar golin e dytë dhe të fitores për Romën.

Në këtë xhiro është mposhtur Interi, që pësoi 1 me 0 nga Genoa.

Të vetmin gol e shënoi Sebastian De Maio në minutën e 78-të.

Roma tani ka 68 pikë në pozitën e tretë, ndërsa Interi si i katërti ka 61. Fiorentina në pozitën e pestë ka 59 pikë të tubuara.