Liburn Aliu: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, pengon integrimin e serbeve

Njëri ndër themeluesit e Vetëvendosjes, Liburn Aliu, në Rubikon të KTV-së ka theksuar se Kosova ndodhet në një situatë jonormale dhe se duhet të sillemi asisoj.

Ai ka thënë se opozita ka provuar mënyra të ndryshme, por pushteti nuk e qau kokën dhe deputetët opozitarë u detyruan të përdorin gazin lotsjellës.

Sipas tij, koncepti i negociatave me Serbinë duhet të ndryshojë.

“Koncepti i negociatave duhet të ndryshojë. Kosova nuk ka agjendë të qartë andaj ne nuk duhet të futemi në këtë gjë pa e ditur realisht se çka duam. Ne në fakt si Kosovë asnjëherë nuk i kemi vendosur kushte Serbisë derisa kjo ka vendosur kushte të pafundme në drejtimin tonë. Ato që po quhen normalizim i marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, në fakt po pengojnë normalizimin dhe integrimin e serbëve të Kosovës, të cilët në fakt qenë integruar mjaft mirë.”

Aliu ka komentuar edhe mundësinë e dërgimit të marrëveshjes për Asociacionin në Komisionin e Venecias, për çka është i bindur se nëse ai dërgohet atje, do të hidhet poshtë për shkak të etnicitetit.

Ai ka thënë se kjo çështje është diskutuar në kohën e VLAN-it, por që, sipas tij, dërgimi në këtë komision i takon liderëve shtetëror, por ka refuzuar të përgjigjet nëse do të respektonin një vendim të Komisionit të Venecias nëse ai do të ishte pro marrëveshjeve.