Ligji për pensionim të parakohshëm të policëve, gati për vitin e ardhshëm

Iniciuar nga Zvicra, Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), në Prishtinë u mbajt një tryezë në të cilën u diskutua rreth temës “Menaxhimi i burimeve njerëzore dhe perspektivat e planifikimit të integritetit”, me akterët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në këtë tryezë morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ambasada e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, anëtarë të Komisionit për Siguri, përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të çështjeve të sigurisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në fjalën e tij theksoi se kontrolli demokratik, mbikëqyrja e institucioneve të rendit dhe ligjit, janë thelbësore dhe vendimtare për mirëmbajtjen dhe performancën e këtyre institucioneve. Po ashtu resurset njerëzore, kanë peshë të veçantë në ruajtjen e vazhdimësisë të kujtesës institucionale tek institucionet e rendit dhe ligjit.
Ai vlerësoi se Policia e Kosovës është një formacion jashtëzakonisht profesional, e trajnuar mirë dhe shumë bashkëkohore në aspekt të ndërveprimit operativ.

Nga këndvështrimi i burimeve njerëzore, sipas tij, ka një ngecje, pasi një numër i policëve është plakur, por që në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës besoj se do të zgjidhet.

“Unë e kam vendosur si prioritet hartimin dhe kalimin e Projektligjit për pensionimin e parakohshëm të Policisë së Kosovës. Projektligji është gati. Po kështu kemi vendosur rreth pikave delikate që është mosha e pensionimit dhe niveli i pagës me të cilën do të pensionohen policët e Kosovës, dhe presim që në janar ose shkurt të vitit të ardhshëm të miratohet ky projektligj”, ka sqaruar ministri Hyseni.

Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, znj. Krystyna Marty Lang, tha se të ndërtosh një organizatë policore nuk është procedurë e lehtë. Policia e Kosovës është një organizatë e respektuar dhe e cila i përfaqëson ambiciet e Kosovës në respektim të diversiteteve të saj.

“Zyrtarët e policisë përballen me vështirësi të ndryshme. Shumë nga ta i plotësojnë standardet më të larta të integritetit. Megjithatë sikur edhe në çdo forcë policore, kudo në botë, ekzistojnë shkeljet dhe korrupsioni që janë pjesë e realitetit. Sjellje të tilla kërcënojnë edhe drejtësinë,por edhe besimin e qytetarëve, sepse këto organizata supozohet se duhet t’i mbrojnë ata”, theksoi ambasadorja Lang.

Ambasadorja zvicerane theksoi se Kosova ka mekanizmat e duhura për të mundësuar punë të suksesshme për të luftuar korrupsionin dhe shtoi se këto diskutime do t’iu ndihmojnë të zhvilloni forma operative në mënyrë që Policia e Kosovës të ndihmohet në ngritjen e integritetit.

“Kjo tryezë do t’iu ndihmojë që të bëni planifikimet për integritetin dhe kjo nënkupton krijimin e një kornize vendimmarrëse për të identifikuar dhe analizuar dhe adresuar gjithçka në polici në një adresim të veçantë”, tha ambasadorja Lang.
Në këtë tryezë folën edhe përfaqësues të DCAF-it, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë institucionalë dhe përfaqësues të shoqërisë civile./zeri.info/