Limaj: Pasiguria juridike të marrë fund në të gjitha rastet

Fatmir Limaj po shpreson se Gjykata e Apelit do t`i japë fund “mjegullës” e pasigurisë juridike, të cilën ka thënë se është duke e kaluar për më shumë se një vit, si i akuzuar për krime lufte në rastin “Kleçka”.

Dy ditë radhazi ai bashkë me nëntë të akuzuar të tjerë janë paraqitur në gjykatë, ku janë shqyrtuar ankesat e tyre ndaj kërkesës së Prokurorisë për të hedhur poshtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, si dhe për ta kthyer rastin në rigjykim, shkruan sot Koha Ditore.

Ata po përballen me akuza për krime lufte ndaj civilëve, por edhe për krime lufte kundër robërve të luftës. Limaj, në mes tjerash, akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e dy serbëve. Vrasjen e tyre pretendohet se e kishte kryer Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari “X”.

Rasti “Kleçka” po shqyrtohet në Apel me ankesën e Prokurorisë, megjithëqë për të dytën herë shkalla e parë i ka shpallur të pafajshëm Limajn, Arben Krasniqin, Naser Krasniqin, Nexhmi Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Naser Shalën, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn