Lufta kundër terrorizmit sjell në Tiranë një gjykatës italian

Nga janari i vitit të ardhshëm në Tiranë do të vendoset Gjykatësi i kontaktit për luftën e përbashkët ndaj terrorizmit midis Italisë dhe Shqipërisë.

Këtë e bëri të ditur ministri italian i Drejtësisë, Andrea Orlando, i cili dy ditë më parë zhvilloi njëvizitë zyrtare në vendin tonë, i shoqëruar dhe nga prokurori i atnimafies dhe antiterrorizmit, Franko Roberti.

Në një postim në “Facebook”, Oralndo shkruan se në javët e ardhshme do të dërgojë në Tiranë një gjyqtar kontakti. “Së bashku me prokurorin atimafia dhe antiterrorizëm, Franko Roberti, takuam pjesën më të madhe të zyrtarëve të Shqipërisë – kryeministrin Edi Rama, ministrin e Drejtësisë, ministrin e Brendshëm, kryeprokurorin. Diskutuam në takime operative për strategji të përbashkëta midis Italisë dhe Shqipërisë për luftën ndaj terrorizmit. Italia do të mbështesë Shqipërinë me prani të kapaciteteve njerëzore dhe teknologjisë. Në javët e ardhshme unë do të dërgoj një gjyqtar ndërlidhës në Tiranë për të promovuar dhe për të forcuar bashkëpunimin në hetimin e terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore”, thuhet në statusin e ministrit./Shekulli/