Lunacek: Dhuna në Kuvend rrezikon procesin e liberalizimit të vizave

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, ka shprehur qëndrimet e saj për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, si pasojë e acarimit të situatës mes Qeverisë dhe opozitës mbi dy marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe Malin e Zi.

Lunacek, në intervistën për KosovaPress-in, porosit të dy palët që të gjejnë mënyra për t’u ulur në tavolinë dhe për t’i zgjedhur mospajtimet me anë të dialogut, pasi, siç thotë, dhuna dëmton proceset e rëndësishme të Kosovës drejt BE-së, siç është, mes tjerash, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Lunacek ka shprehur shqetësim për mënyrën e ardhjes së shefit të përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Lubisha Dikoviq në Prishtinë, pa lejen e institucioneve të Kosovës. Sipas saj, KFOR-i është dashur të jetë më i kujdesshëm për të mos lënduar ndjenjat e kosovarëve dhe kujtimin për viktimat, duke e ftuar Dikoviqin në Kosovë.

Raportuesja për Kosovën ka potencuar se arrestimi i deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, është bërë në rrethana të papërshtatshme kohore, njëkohësisht duke e kritikuar opozitën për skena dhune në Kuvendin e Kosovës, që sipas saj, nuk përçojnë mesazhe të mira jashtë vendit.

Sa i përket dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESO, Lunacek ka theksuar se Serbia ka përçuar një mesazh të lartë urrejtjeje duke e penguar Kosovën drejt anëtarësimit në këtë organizatë, derisa kritika nuk ka munguar për Ministrinë e Jashtme, nga e cila kërkon që të shikojë me kujdes se ku ka gabuar dhe të marrë mësim për të ardhmen.

“Dialogu megjithatë duhet të vazhdojë, por pa e futur në agjendë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtarë! Më lejoni të bëhem konkrete, mendoj se Qeveria e Kosovës, më saktësisht Ministria e Punëve të Jashtme duhet të shikojë në detaje se prej ku dhe prej cilës pikë strategjia e saj filloi të përmbyset – dhe të marrë mësim për herën tjetër”, ka potencuar Lunacek.