Lutfi Haziri: Të gjitha ndërtimet pa leje në komunë do të trajtohen njësoj

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes një psotimi në facebook, ka pohuar se nuk do të ketë kompromis me ligjin, dhe se të gjitha ndërtimet pa leje në këtë komunë do të trajtohen njësoj.

Ja postimi i plotë i tij:

Sot, në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit kam theksuar se ndërtimet në Gjilan do të zgjidhen në përputhje me ligjin dhe rregullore e jo me zhurmë e piskama.

Në Gjilan nuk ka listë të ndërtuesve të rinj, që kanë ardhur në kohën e kësaj qeverisje, por janë po ata që kanë qenë edhe më përpara. I siguroj këshilltarët komunalë se çdo ndërtim i paligjshëm do të trajtohet me të njëjtin standard, sikurse do të trajtohet edhe “Fidanishtja” si dhe rastet tjera që i përkasin periudhës së qeverisjes së kaluar dhe do të procedohen në prokurori.

Në procedurën e rrënimeve, do të trajtohen njësoj si një objekt njëkatësh, po ashtu edhe ai dhjetë katesh. Sa iu përket ndërtimeve në pronat private, ato nuk mund t`i ndalojë përderisa janë në përputhje me ligjin, por nuk do të lejojë ndërtime afariste dhe banesore në pronën komunale, siç ka ndodhur në të kaluarën. Inkurajoj këshilltarët komunalë që ta denoncojnë në prokurori çdo rast që mendojnë se kanë fakte, duke përfshirë edhe atë, nëse, i kam legalizuar dikujt qoftë edhe një metër katror të ndërtuar në mënyrë të paligjshme.

Definitivisht, kompromis me ligjin nuk do të ketë. Dua t’ju konfirmoj se personalisht kam vizituar raste në terren, për të cilat është folur në qytet se po ndërtohen pa leje, por nuk kanë rezultuar ashtu./ Gazeta Liria