Mancini: Janë katër ekipe më të forta se ne

Roberto Mancini është i lumtur me fitoren e Interit ndaj Frosinones me rezultat 4:0, por nuk e sheh ekipin e tij si favorit për Scudetto.

Interi është rikthyer në krye të tabelës në Serie A, pas fitores së thellë të arritur të dielën ndaj Frosinones. ‘Zikaltërit’, kanë shfrytëzuar edhe barazimin e Fiorentinës me Empolin 2:2, për të dalë vetëm në krye me 30 pikë, transmeton KosovaPress.

Mirëpo trajnerit Roberto Mancini, as ecuria fantastike e ekipit të tij nuk ia mbush mendjen se Interi është favoriti kryesor për Scudetto. Sipas italianit janë katër ekipe më kualitative sesa skuadra e tij.

“Jemi të lumtur që jemi të parët në tabelë, por kemi edhe një rrugë shumë të gjatë deri në fund. Mendoj se për titullin e kampionit, janë katër ekipe më të përgatitura se ne. Napoli, Roma, Fiorentina dhe Juventusi janë kandidatët kryesorë për Scudetto”, ka thënë Mancini.

Interi të hënën e ardhshme është mysafir i Napolit.