Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ylli Manjani ka bërë të ditur se zgjedhja e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve duhet të bëhet me short elektronik.
Manjani këto deklarata i ka bërë pas një takimi me përfaqësues të misionit Euralius, ku është diskutuar pikërisht reformimi i sistemit gjyqësor.
“Nuk rritet besimi tek gjyqësori kur dihet paraprakisht se kush do jetë gjyqtari. Është i domosdoshëm përdorimi i sistemit elektronik për hedhjen e shortit nga gjykata”, ka thënë Manjani.
Sipas tij, gjykatat në mbar vendin duhet ta përdorin të njëjtin sistem.
“Problemi kryesor për të cilën jemi mbledhur kështu është çfarë mund të bëjmë për këtë sistem. Unë jam gati ta mirëkuptoj Gjykatën e Tiranës për ta aplikuar këtë sistem, por nuk arrij të kuptoj se si mund të vihet në diskutim autoriteti i shtetit shqiptar. Një gjykatë del më vete, një gjykatë tjetër ka një sistem tjetër. Asgjë e integruar në funksion. Besimi i publikut tek gjykata bie kur gjykatësi është i paracaktuar dhe sado të jetë i mirë ai vendim, në sekondë shumëzohet me zero”, theksoi Ylli Manjani. /Telegrafi/