Mavraj ka besimin e Koelnit

Menaxheri i Koelnit, Joerg Schmadtke, ka vlerësuar lart mbrojtësin kosovar Mërgim Mavraj. Ai ka thënë se skuadra e Koelnit ka nevojë të madhe për Mavrajn.

“Nuk është në planet tona huazimi, ne kemi nevojë për Mërgimin. Ne e inkurajomë atë që të punojë dhe të kthehet sa më parë në formën e tij të dikurshme”, ka thënë Schmadtke për “sports.yahoo.com”.

Mavraj 29-vjeçar është kthyer nga një lëndim që e mbajti atë jashtë fushës që nga muaji maj i këtij viti. Pas kthimit nga lëndimi ka luajtur tri ndeshje për ekipin e rezervave, përcjell sot Koha Ditore.

Ditë më parë për gazetën Mavraj ka bërë të ditur se është më i fortë se që ishte para lëndimit. Me Koelnin ka kontratë deri në qershor të vitit 2017.