Mbetën shtatzënë gabimisht, hedhin në gjyq kompanitë farmaceutike

Të ngelësh shtatzënë për një gabim në pilulën e kontracepsionit. Kjo u ka ndodhur 117 femrave në SHBA gjatë këtij viti. 94 prej tyre kanë sjellë në jetë fëmijë, pavarësisht se i kishin marrë masat për të parandaluar shtatzëninë.

Tashmë të 117 gratë janë bashkuar dhe kanë hedhur në gjyq kompanitë farmaceutike, duke u kërkuar dëmshpërblim sasi parash që të mbulojnë kostot e rritjes së fëmijëve dhe pagesën e kolegjit.

Akuzat janë ngritur në një nga gjykatat e Filadelfias, por nuk dihet ende nëse kjo e fundit do t’i mbledhë të gjitha rastet në një çështje të vetme, apo do t’i trajtojë ato rast pas rasti.

Në vitin 2011 u zbulua se një lloj i pilulës duhej konfeksionuar në një radhë të saktë për 28 ditë, pasi në rast ngatërrimi të radhës, mbrojtja që ofronin reduktohej dukshëm. Të paktën 500 000 konfeksione u tërhoqën nga tregu për këtë arsye.

Por 117 gratë e rastit të fundit pretendojnë se kanë mbetur shtatzënë pas përdorimit të rregullt të pilulës së kompanisë “Endo Pharmaceuticals” dhe disa të tjerave./shekulli/