Më 2 maj, zgjedhjet e përgjithshme në Vetëvendosje

Kryetari i Lëvizjes, Visar Ymeri, ka mbajtur konferencë për medie ku ka hapur publikisht procesin e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE.

Ymeri tha se në mbledhjen e fundit Këshilli i Përgjithshëm e ka shpallur 2 majin ku do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme.

“Përkrahja për LVV-në po rritet vazhdimisht, veçanërisht në muajt e fundit kur lëvizja e kundërshtoi fuqishëm regjimin”, tha ai.

Sipas tij, sa më e fuqishme lëvizja, aq më i shkurt regjimi.

Image

“Ne jemi të interesuar që të gjithë simpatizantët dhe përkrahësit të angazhohen për LVV-në. I ftoj bujqit, arsimtarët, mjekët të papunë të bashkohen në LVV”, tha ai.

Nol Nushi, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm Zgjedhor tregoi mënyrën e procesit të zgjedhjeve.

“Është e rëndësishme të theksohet se jemi të vetmit që e aplikojmë parimin një anëtarë, një votë dhe të gjithë kanë të drejtë të aplikojnë. Zgjedhjet ndahen në tri faza. E para ka të bëjë me strukturën organizative ose siç i quajnë në pika dhe do të mbahen në çdo lagje apo pika, faza e dytë do të jetë faza e zgjedhjes së kryetarëve të qendrave të LVV-së ose degëve, faza e tretë  është ngritja e këshillave dhe qendrave ku nga këto organe dalin delegatët që e përfaqësojnë Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së ose organin më të rëndësishëm”, theksoi ai duke shtuar se zgjedhjet nuk do të mbahen vetëm në Kosovë por edhe jashtë vendit.