Meha: Goli dhe asisti dëshmojnë sa shumë kam punuar [video]

Alban Meha ka shënuar një supergol nga goditja e dënimit për t’ia siguruar tri pikë Konyasporit.

Konyaspori, të dielën, në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës turke në futboll fitoi 3:2 ndaj Eskisehirsporit. Golin e fitores, atë për rezultatin 3:2, e shënoi pikërisht Meha në minutën e 86-të.

Realizoi nga një goditje dënimi nga rreth 22 metra largësi. Topi së pari qëlloi traversën për të prekur më pas fushën brenda vijës fatale dhe për të dalë jashtë. Gjyqtarët panë që topi ishte brenda portës dhe pranuan golin e mesfushorit 29-vjeçar, mjeshtrit të goditjeve të dënimit, shkruan sot Koha Ditore.

Goli i fitores nuk ishte kontributi i vetëm i Mehës në këtë ndeshje. Ai po nga një goditje dënimi, asistoi në golin e parë të skuadrës. Meha ka startuar në të gjitha 12 ndeshjet e këtij edicioni, është zëvendësuar dy herë fare në fund, ndërsa i ka katër gola e pesë asistime.

Goli e asistimi janë vlerësuar edhe përgjigje e Mehës për përzgjedhësin e Shqipërisë, Gianni de Biasi që nuk e ftoi mesfushorin për ndeshjet miqësore me Kosovën e Gjeorgjinë. Meha e kishte përjetuar rëndë këtë vendim të teknikut italian.

Meha është realizatori më i mirë i Konyasporit që mban pozitën e shtatë në kampionatin turk.

“Jam i lumtur që fituam e morëm tri pikë, por normal që e ndiej veten të lumtur edhe për asistimin, edhe për golin. Kjo dëshmon që kam punuar mirë deri më tani dhe kështu do të vazhdoj, do të punoj mirë”, ka thënë Meha.

https://youtu.be/gP7JDBQbJaw