Milionat e partive politike nuk po auditohen nga askush

Kriza politike po i pengon institucionet e pavarura në Kosovë që të ta kryejnë punën e tyre, u tha sot në një konferencë lidhur me financimin e partive politike në vend.

Në konferencën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Dren Doli nga ky institut tha se çështja e financimit të partive politike nuk është adresuar gjatë muajve të fundit.

Ai u shpreh se publiku ka të drejtë që ta dijë se nga financohen liderët e tyre politikë.

“Ato marrin vendime në emër të qytetarëve, ushtrojnë përfaqësim në Institucionet më të rëndësishme të vendit dhe ne si publik kemi detyrim apo të drejt të dimë prej nga influencohen partitë politike”, tha Doli.

Por drejtoresha e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike në KQZ, Miradije Mavriqi, tha se ekziston një ligj për financimin e subjekteve politike, dhe në bazë të këtij ligji KQZ i pranon të gjitha raportet e subjekteve politike si ato të fushatës politike ashtu dhe raportet vjetore.

“Zyra e KQZ-së ka punuar çdo herë konform këtij ligji. Janë pranuar raportet financiare të subjekteve politike dhe janë raportuar që janë dorëzu. Megjithatë raportet janë në zyrat e subjekteve politike”, sqaroi ajo.

Mavriqi shtoi se subjekteve politike të cilat nuk i kanë dorëzuar raportet në vitin 2013 u janë dhënë edhe gjoba, ndërsa në vitin 2014, sipas saj, pasqyrimet e subjekteve politike kanë qenë të sakta.

Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu” tha se prej se financimi i partive politike ka kaluar në kompetencë të Kuvendit, situata është përkeqësuar.

“I kemi tri vjet që partitë tona nuk janë audituar dhe kjo krijon një hapësirë se kjo mund të jetë korrupsion sepse ne nuk e kemi të ditur se si janë shpenzuar paratë e partive politike, sidomos paratë që merren nga buxheti”, tha Demhasaj.

Për çdo vit, Kuvendi i Kosovës ndan një shumë prej rreth 5 milionë euro për partitë të cilat në zgjedhjet paraprake kanë fituar ulëse në Kuvend. /Tribuna/