Ministri Murati dhe myftiu Tërnava bisedojnë për mësimin shqip në diasporë

Sot, në Bashkësinë Islame të Kosovës, ministri i Diasporës, Valon Murati u prit nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Temë e këtij takimi ishte raporti i Bashkësisë Islame me subjektet fetare të organizuara në diasporë dhe roli i saj në mësimin shqip atje.

Ministri Murati, pasi e njohu myftiun Tërnava me gjendjen e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, me përkrahjen që shtete të caktuara japin në këtë drejtim, foli edhe për problemet,me të cilat po përballet mësimi shqip.

Në këtë kontekst, ministri Murati potencoi rolin e madh që mund ta luajë Bashkësia Islame e Kosovës në shtimin e interesimit për kultivimin e gjuhës shqipe.

“Roli i komunitetit fetar në ndihmë të fuqizimit të gjuhës shqipe është i rëndësishëm, në këtë rast i Bashkësisë Islame, për shkak se është komuniteti më i madh edhe në diasporë ndër shqiptarë, andaj edhe bashkëpunimi mes MeD-së dhe Bashkësisë Islame duhet të jetë më i ngushtë”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Ai kërkoi të dijë më shumë se çfarë raporti ka Bashkësia Islame me komunitetin tonë në diasporë, raportet me xhamitë atje, ndikimin dhe rolin e saj tek to.

Tërnava, pasi e falënderoi ministrin Murati për vizitën, theksoi se në gjithë diasporën ka një numër të madh të xhamive, në të cilat ligjërohet e mësohet shqip.

“Jemi të interesuar jetësisht që fëmijët tanë në diasporë ta mësojnë shqipen. Aq sa kemi pasur mundësi, kemi organizuar vetë, me sistemin tonë, mësimin e gjuhës shqipe në xhamitë e shumta në diasporë. I kemi obliguar imamët që, së paku, fëmijëve tanë t’ua mësojnë shkrim- leximin shqip”, tha myftiu Tërnava.

Sa u përket raporteve me xhamitë dhe qendrat islame në diasporë, myftiu Tërnava theksoi se me shumicën prej tyre kanë raporte shumë të mira, i vizitojnë, i këshillojnë imamët e tyre si të sillen në raport me shtetin ku veprojnë etj.

Ai propozoi që bashkë me Ministrinë e Diasporës të bëhet ndonjë aktivitet i përbashkët në diasporë.

Po ashtu, myftiu Tërnava tha se mund të ndihmojnë edhe me infrastrukturë, duke theksuar se të gjitha qendrat që ekzistojnë kanë hapësirë të mjaftueshme edhe për hapjen e ndonjë shkolle shqipe.

“Aty ku e shihni se mund ta japim kontributin tonë, që mund të bashkëpunojmë në ndonjë fushë, ne jemi të gatshëm”, tha në fund të takimit myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. /Telegrafi/