Miratohet Koncept–Dokumenti për Prishtinën

Kabineti qeveritar miratoi Draftin e Koncept-Dokumentit për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës Prishtinën.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se faza përgatitore e Ligjit për Prishtinën do të përfshijë shumë njerëz, pasi është folur shumë për ligjin për kryeqytetin.

“Ju e dini se është biseduar gjatë lidhur me Ligjin për Prishtinën. Një herë ka qenë i përgatitur ligji, ka ardhur deri në leximin e parë në Kuvend, është kthyer prapë. Tash marrëveshja është që të aprovohet sot koncept-dokumenti, pastaj mbi këtë koncept-dokument të punohet në hartimin e projektligjit i cili do të procedohet më tutje,” tha Mustafa.

Mustafa kur nga pozita e kryetarit të Prishtinës kandidoi për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 2014-ës premtoi miratimin e shpejtë të Ligjit për Prishtinën, nesë vinte në pozitën e të parit të ekzekutivit.

Edhe zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Bajram Gecaj ftoi kabinetin qeveritar ta miratojnë këtë koncept–dokument.

“Është paraparë të hartohet koncept-dokumenti për projektligjin e kryeqytetit të Republikës së Kosovës, Prishtinë dhe më pas projektligji për kryeqytetin e Kosovës. Ky koncept-dokument i parashtruar sot ka identifikuar dhe trajtuar disa aspekte të përgjithshme që ndikojnë në organizimin dhe funksionimin e qëndrueshëm të kryeqytetit,” tha Gecaj./gazetaepress/