Mjeku turk pa licencë u promovua nga spitali privat, Inspektorati: Në muajin shkurt nuk kreu shërbime

Shërbimet e një mjeku turk pa licencë janë promovuar nga spitali privat “Olive” në Prishtinë në muajin shkurt 2023. Inspektorati ka kryer një inspektim dhe në një përgjigje për Gazetën kanë deklaruar se mjeku s’kishte licencë nga nëntori i vitit 2022. Nga Inspektorati kanë thënë se mjeku s’ka kryer shërbime gjatë muajit shkurt derisa kanë shtuar poashtu se spitali nuk i menaxhon rrjetet sociale

Për nder të festës së Pavarësisë së Kosovës shërbimet e mjekut turk Ahmet Torkut në Spitalin “Olive” në Prishtinë janë ofruar me zbritje. Për këto shërbime ky spital ka bërë promovim në rrjetet sociale ndonëse mjeku Torkut nuk kishte licencë nga MSH, shkruan Gazeta Shneta.

Për shërbimet e këtij mjeku spitali është inspektuar nga Inspektorati Shëndetësor më datën 22 shkurt. Në një përgjigje për Gazetën, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se ISH ka konstatuar se Torkut nuk kishte licencë që nga nëntori i vitit 2022, por gjatë inspektimit nuk është evidentuar ndonjë shërbim i tij gjatë muajit shkurt. Nga ISH nuk kanë sqaruar pse inspektimi është kryer vetëm për muajin shkurt.

Në këtë përgjigje, ekipi i Inspektoratit Shëndetësor shkon tutje duke arsyetuar se spitali nuk menaxhon me rrjetet sociale.

“Bazuar në vendimin e lëshuar nga MSh për licencim të profesionisteve shëndetësorë qytetar  jo-kosovar me nr. protokolli 05-5695 të datës 08.11.2022, kohëzgjatja e licencës së profesionistit shëndetësor Dr. Ahmet Torkut, Specialisti i Kirurgjisë Plastike dhe Konstruktive ishte deri me datë 29.11.2022. Bazuar në evidencën e regjistrit të pacientëve për ofrim të shërbimit shëndetësor të muajit shkurt 2023, është konstatuar se Dr. Ahmet Torkut nuk ka ofruar shërbim shëndetësorë. Sipas Z. Sejdiu, themelues i IPSH ‘Olive Hospital’, rrjetet sociale nuk menaxhohet nga ata dhe si institucion do të merren në kohë reale me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga Spitali “Olive” por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Shneta/

The post Mjeku turk pa licencë u promovua nga spitali privat, Inspektorati: Në muajin shkurt nuk kreu shërbime appeared first on Gazeta Shneta.