Mogherini paralajmëron Serbinë për kapitullin 35, dialogu me Kosovën vazhdon

Komisionarja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini, gjatë qëndrimit në Serbi, ka thënë se data kur mund të hapen bisedimet për kapitujt 32 dhe 35, është 14 dhjetor.

“Disa muaj më parë, kam thënë në Beograd se kapitujt duhet të hapen para fundit të vitit, dhe tash po them se më 14 dhjetor mund t’i hapim. Bashkëpunim më intensiv na pret përpara dhe kjo është e rëndësishme si për Serbinë ashtu edhe për BE-në”, ka thënë Mogherini në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiq, transmeton Koha.net.

Mogherini më tej në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd u ka thënë serbëve që mund të llogarisin në të dhe Bashkimin Evropian se ata garantojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga të dy palët në Bruksel dhe vazhdimin e Dialogut Prishtinë-Beograd.

Ndërsa kryeministri serb, Aleksander Vuçiq, ka thënë se Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut, sepse, sipas tij, ai ka shumë gjera dhe çështje konkrete që duhet të adresohen, e të cilat ndikojnë direkt në jetën e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Kapitulli 35 ka dal të jetë kafshatë vështirë e kapërdishme për palën serbe sepse në këtë kapitull parashihet që Beogradi të heq dorë nga Kosova, se siç thuhet në të, Serbia të heqë dorë nga të gjitha elementet e veta të shtetësisë në Kosovë.