Montella: Trajner i Sampdorias

Vincenzo Montella u prezantua zyrtarisht si trajneri i ri Sampdorias. Për 41-vjecarin kalimi te dorianët mund të konsiderohet si një rikthim në shtëpi pasi ishte pikërisht Sampdoria, skuadra e parë ku Montella shkëlqeu si futbollist duke u transferuar më pas te Roma për tu shndërruar në një prej golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në Serinë A.

Megjithatë tashmë detyra e tij nuk do të jetë të shënojë sa më shumë gola por të kthejë në rrugën e duhur një skuadër nga e cila presidenti Ferrero pret shumë. Nuk mund të mungonte gëzimi në fjalët e Montellës gjatë konferencës së prezantimit ku bashkë me të ishte edhe presidenti Massimo Ferrero.

“Më duket sikur koha ka ndaluar. Ka një entuziasëm të madh për rikthimin tim këtu dhe jam shumë i emocionuar. Ëndrra ime që kur kam filluar të bëj profesionin e trajnerit ka qenë gjithmonë të drejtoja Sampdorian qoftë edhe për një ditë. E dëshiroja dicka të tillë dhe jam me të vërtetë i lumtur që ia arrita qëllimit”.

Por deri ku mund të arrijë Sampdoria me Montellën në krye? Trajneri nuk vendosi limite kur u pyet për objektivat që ka në krye të dorianëve, ndërkohë që shkëputi një mendim edhe për eksperiencën e tij te Fiorentina.

” Si trajner nuk e ndiej veten superior në krahasim me Sampdorian si klub. Objektivi im është që të rritemi sëbashku pa vendosur limite. Këtu ka një projekt të rëndësishëm dhe una dëshiroja me cdo kusht të isha pjesë e tij. Fiorentina? Jemi ndarë në mënyrë inteligjente dhe të edukuar.Në këto tre vite kemi bërë hapa të mëdhenj përpara sëbashku, por për fat të keq raporti përfundoi sic përfundojnë të gjithë raportet trajner-klub”./supersport/