Moskë, Wi-Fi falas në varreza

Autoritetet ruse kanë vendosur të instalojnë internet me valë tek varrezat në Moskë. Zyrtarët njoftuan se do të ofrohet Wi-Fi falas në tri varrezat historike të qytetit duke filluar nga viti i ardhshëm.

Kjo nismë e re do të nxisë më shumë vizitorë të shkojnë tek varrezat Vagankovo, Troyekurovo dhe Novodevichy, ku prehen shumë njerëz të famshëm, si autori Anton Chekhov, lideri sovjetik Nikita Khrushchev dhe presidenti i parë rus Boris Yeltsin. Duke pasur internet, vizitorët do të kenë mundësi të marrin më shumë informacione mbi këta persona të famshëm.

“Këto varreza janë si muze në qiell të hapur,” tha për AFP Lilya Lvovskaya, zëdhënësja e kompanisë. “Njerëzit vijnë shpesh këtu dhe duan të dinë më shumë rreth njerëzve që prehen në varreza.”

Autoritetet kanë në plan të zgjerojnë shërbimet e Wi-Fi falas në 133 varreza të tjera të qytetit. /krokodili/