Muharremaj i AAK: Gazi lotsjellës nuk është helm kimik (Video)

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj, ka deklaruar në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, se gazi lotsjellës i përdorur në Kuvendin e Kosovës nga opozita, nuk është helm kimik.

“Gazi lotsjellës nuk është helm kimik siç po e quajnë, sepse helmet kimike janë të ndaluara me Konventa Ndërkombëtare dhe nuk kanë të drejt as policia e ushtria ta përdorin. Është i dëmshëm që hedhet në ambiente të mbyllura, por atë po e thithim edhe vetë dhe nuk po ikim. Nuk është metodë e mirë, por do të vazhdojmë ta bllokojmë Kuvendin. Do ti përdorim të gjitha metodat që do të mundemi”, theksoi Muharremaj, i cili me profesion është ushtarak.

Ai theksoi se sa më shpejt që të jetë e mundur, Komisioni për Demarkacionin me Malin e Zi, duhet të jap dorëheqje pasi ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

Por, sipas tij, së pari duhet të hiqen nënshkrimet e më pas të caktohet një komision i ri, ku duhet të ftohen ekspert e fushës.
Muharremaj ka folur edhe për seancën e 30 nëntorit që është caktuar nga Kryesia e Kuvendit dhe sipas tij, Kryesia nuk ka bërë mirë që e ka caktuar seancën e re dhe derisa nuk reflektojnë kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, ai pohoi se opozita do ta bllokojë Kuvendin, pasi marrëveshjet e nënshkruara janë të dëmshme për Kosovën.

Deputeti i AAK-së, tha se i kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës për gjestet që po i bëjnë në Kuvendin e Kosovë, por sipas tij më mirë t’i bëjnë këto veprime se sa të realizohen marrëveshjet e dëmshme.

“Ato që i ka bërë Donika, i kemi bërë të gjithë bashkë. Mund të na burgosin të gjithëve, por nuk do të ndalemi. Askush nuk ka të drejtë të falë tokë, sepse është derdhur gjak për këtë tokë dhe nuk do të lëshojmë pe”, u shpreh ai./ Telegrafi