Mundësia e lashtësisë së shqiptarëve që nga Atlantida legjendare?!

Në kuluaret e historiografisë botërore, ekzistojnë një tendencë serioze e dëshmimit të mundshëm të një hipoteze tejet të guximshme se, shqiptarët dhe baskët, janë 2 popuj specifik të Evropës që kanë një prejardhje të lashtë historike, ku zanafillat edhe më të hershme të tyre mund të kërkohen aq larg, deri tek civilizimi i lashtë misterioz botëror, i njohur si Atlantida.

Mundësia e prejardhjes së shqiptarëve nga Atlantida e lashtë legjendare, kuptohet, është totalisht në suazat e një hipoteze të së mundshmes, me tendenca serioze akademike edhe të dëshmimit të saj të afërt materialo-shkencor.

Ashtu siç do të shohim në vazhdim, prejardhja e lashtë e shqiptarëve, ka mundësi të mos fillojë me civilizimin e hershëm pellazg-ilir, por i ka rrënjët shumë thellë e më thellë se sa realisht mendojmë ne vetë.

Në dritën e kërkimeve dhe zbulimeve të reja, hasa në një hipotezë tejet të guximshme se pasardhësit e popullit të Atlantidës legjendare në Evropë, mund të janë baskët dhe shqiptarët. Kuptohet nuk u befasova, por as nuk e pranova atë menjëherë si megalomani nacionale e cila sigurisht më konvenonte si shqiptar. Përkundrazi, kërshëria ime mu ngacmua seriozisht dhe unë fillova të hulumtoj edhe më tej duke gjurmuar dhe mbledhur materiale të ndryshme që sado pak do të mundësojnë më racionalist t’i besoj kësaj hipoteze.

Se pellazgët dhe ilirët e kanë një prejardhje të lashtë në këto troje dhe se ne jemi pasardhës të denjë të këtyre civilizimeve, flasin shumë studime jo vetëm të studiuesve shqiptarë, por numri më i madh i tyre është nga ata të huajt. Në suazat e shkencës së mirëfilltë, teoria tanimë e dëshmuar e prejardhjes së shqiptarëve të sotëm nga pellazgët dhe ilirët e lashtë, askund nuk kontestohet. Gjurmët e para materiale dhe më të vjetra të ekzistimit të jetës në këto troje, janë zbuluar në fshatin XARRË ( afër Sarandës) . Këto janë: vegla pune, armë, stoli, enë nga dheu etj. Prejardhja e tyre daton që nga koha e paleolitit të lartë, që vazhdon afërsisht 40.000 – 6.000 vjet para e.s. Poashtu është interesante zbulimi në shpellën e SHËN MARINËS ( në Bogaz të Konispolit) të eshtrave të një dhie të egër e cila i takon llojit “CAPRA IBEX”, lloj ky i cili është zhdukur dhe nuk ekziston më, gjë që dëshmojnë mbi ekzistimin e lashtë të jetës në këto troje, me një gjueti të zhvilluar.

Por, hipoteza mbi mundësinë e prejardhjes së shqiptarëve dhe baskëve nga Atlantida legjendare, është diçka krejtësisht tjetër. Diçka më e guximshme dhe më sfiduese e cila, sigurisht gjatë do të mbetet në kornizat e një hipoteze atraktive kureshtare parashkencore. Në fillim të gjetjes së një mbështetje logjike të kësaj hipoteze, kishte për qëllim, që së pari, ta bindi veten time në një mundësi të tillë, e tek pastaj, nëse do të ketë arsye të mjaftueshme, edhe ta argumentoj para të tjerëve.

Baskët janë një popull që jetojnë në pjesën veriore të Spanjës dhe kufizohen me Francën. Sikur shqiptarët, edhe baskët janë një popull që kanë ngjashmëri të ndërsjellët me virtyte të përbashkëta nacionale, sikurse bie fjala: gjuha specifike në krahasim me gjuhët e popujve tjerë të Evropës, pastaj, instinkti i fortë kolektiv i ruajtjes së identitetit etnik, trimëria dhe luftërat e shpeshta për ekzistencë dhe pavarësi.

Jo vetëm kaq!

Por, këta popuj i karakterizon deri vonë tendenca e kultivimit të marrëdhënieve fisnore dhe instinkti i fortë i ndjenjës për bashkësi që ishte mjeti i fuqishëm dhe vendimtar të mbrojtjes së gjertanishme të tyre nga kthetrat e pashmangshme të asimilimit gjatë historisë. Andaj, pse pra të mos ketë mundësi dhe bazë logjike, të argumentohet hipoteza se shqiptarët dhe baskët mund të kenë një prejardhje nga Atlantida e lashtë?!

Kuptohet, dëshmi të forta dhe bindëse materiale ende nuk ka. Përveç atyre njohurive të përcipta se: Atlantida ishte një civilizim tejet i përsosur, gjurmët materiale të Atlantidës si civilizim të lashtë edhe sot e kësaj dite nuk ekzistojnë. Vetëm supozohet se ka qenë një ishull i rrethuar nga të katër anët me ujë dhe shtrihej në mes të Oqeanit të sotëm Atlantik, midis pjesës perëndimore të kontinentit të Evropës dhe Afrikës, si dhe pjesës lindore të kontinentit të Amerikës Jugore. Si karakteristikë e popullit të Atlantidës ka qenë inteligjenca e lartë kolektive si dhe sundimi tejet i përsosur i të urtëve që ka zgjatur 13.900 vjet.

Pas lëvizjeve të mëdha tektonike që kanë ndodhur në rruzullin tokësor, janë bërë shumë rivendosje të sipërfaqeve të shumta kontinentale, ku një pjesë e madhe e sipërfaqes së tokës është zhytur në ujë, kure pjesët tjera janë paraqitur mbi sipërfaqen e ujit, duke krijuar kështu, ujdhesa dhe hapësira tjera të reja tokësore. Shkenca e jonë bashkëkohore, disponon me shumë fakte se para disa mileniumeve toka nuk e ka pasur këtë sipërfaqe sikur e kemi ne tani. Andaj, ka gjasa se një gjë e njëjtë ka ndodhur edhe me Atlantidën e cila mbulohet me ujë, kurse një pjesë e popullatës së saj të mbetur gjallë, për t’i ikur përmbytjes, është shpërndarë në katër anët e botës. Në këtë kontest, duhet të jetë logjike se atdheu i ardhshëm i tyre gjatë ikjeve shpëtimtare të zgjidhet pikërisht bregdeti i rrethuar me vise të larta malore, sepse përherë ka ekzistuar frika nga ndonjë përmbytje tjetër eventuale. Nisur nga njohuria se populli i Atlantidës ka disponuar me një inteligjencë të lartë kolektive (paralelisht,duke mos dyshuar në lëvizjet e mëdha tektonike të sipërfaqes së atëhershme tokësore dhe ujore) atëherë, atlantidasit sigurisht duhet të dispononim me pajisje të përsosura të lundrimit, andaj, edhe mundësia e arritjes së tyre në brigjet e gadishullit ballkanik ka qenë e realizueshme.

Për Atlantidën si pracivilizim i të gjitha civilizimeve, në veprat e veta për herë të parë flet filozofi i madh i Greqisë Antike, Platoni ( 427 – 347 para e.s.) të cilin e cilëson si një vend (ishull) të madh dhe të fuqishëm, që 9000 vite para kohës së tij, ishte përmbytur në Oqeanin Atlantik.

Ndër popujt e lashtë të botës të cilët me krenari e kanë pranuar dhe kultivuar bindjen se janë pasardhësit e atlantidasve, kanë qenë egjiptasit e lashtë. Nga një papirus i vjetër të zbuluar në muzeun e Petrogradit (Rusi), e cila datonte që nga koha e sundimit të faraonit SENTA, nga dinastia e II-të, përafërsisht para 457 vite para e.s. Ky papirus i ruajtur mirë, qartë dëshmonte se si faraoni Senta ka dërguar ekspeditën detare kah perëndimi, të pajisur me marinarë të aftë, që ta zbulojnë vendin Atlantida., prej kah, para 3550 viteve pas lindjes së tij, kanë ardhur të parët e egjiptasve, duke sjell me vete urtësinë dhe shkathtësinë fantastike të atdheut të vjetër. Ekspedita detare, pas 6 viteve bredhjeje nëpër det të hapur, është kthyer pa gjetur as këtë popull, dhe as ndonjë të gjallë që do të dëshmonte ekzistimin e asaj toke të zhdukur. Në dorëshkrimin tjetër të gjetur në të njëjtin muze, të shkruar nga historiani i vjetër egjiptas, MANATHON, thuhet: “sundimi i të urtëve në Atlantidë ka zgjatur 13.900 vjet…”

Egjiptasit e vjetër, pra, veten e kanë konsideruar si pasardhësit e atlantidasve, e që kjo për ne do të ketë rëndësi të veçantë gjatë shtjellimit të mëtejshëm të kësaj lënde.

.Kush ishte THOTI apo TOTI?

Thoti, tek egjiptasit e vjetër ishte perëndi e mësimit, e shkathtësisë të të shkruarit, e shkencës dhe magjisë; pastaj ishte matës i kohës dhe zbulues i numrave dhe përpilues i hieroglifëve (alfabetit të egjiptasve të vjetër) Pamja e tij përshkruhet si qenie me trup njeriu dhe me kokë të ibis-it ( shqipes-shqiponjës). Sipas Katapanos, edhe emri i Thotit ishte fjalë shqipe sepse ka domethënie të qartë shqipe: me thanë, thua, lajmëtarë, besim, mësues, ose me domethënie më komplete: “lajmëtari i Zotit”, “Mësues nga Zoti” etj. Sipas tij, nga Atlantida, buron edhe emri i sotëm i Oqeanit Atlantik dhe ATLLASIT ( libri hartave të tokës), e që janë fjalë shqipe, sepse Atlantida, gjegjësisht Atllasi, burojnë nga rrënjët e dy fjalëve shqipe: AT-LASH, që do të thoshte: AT-baba dhe LASH-i lashtë, pra stërgjyshi i lashtë. Përveç këtij fakti, Atlantida në shumicën e rasteve emërtohet si “BOREA”, e që edhe ky nocion, rrënjën e vetë e ka në shqipen. Bore do të thotë e bardhë, nga fjala “borë” e shqipes. Nga ana tjetër, BOREA në Egjipt, identifikohet me sfingën. Sfinga ishte në emblemë guri, adhurues i dritës që e personifikonte Zotin. Prandaj, THOTI, sipas gjykimit të Katapanos, nuk i takonte erës së egjiptasve, por asaj të “BOERO-s”, d.m.th. të erës së Atlantidës. Sepse, THOTI konsiderohej krijues i doktrinës VRBALO-DRITËS, që u manifestua në tokë. Poashtu, Dielli, ishte simbol i një PERËNDIE, “ATUM ISE TEM”, terme këto që kanë shpjegimin ilir-shqip:

Edhe prejardhja e nocionit Ilir, Katapano e konsideron se buron nga shqipja: “me qenë i lirë”, sikurse edhe emri shqiptar, burimin e sheh nga termi shqip: SHQIPONJA, e cila e simbolizon dritën, Thotoin, Zotin.

Vepra e Katapanos, nuk mbetet me kaq, por ajo shkon me dëshmime edhe më larg. Në të, më tej ai konstaton dhe argumentohet gjerësisht, se i tërë alfabeti i egjiptasve të vjetër (hieroglifët)j si alfabet i parë i përpiluar për shkrim dhe lexim, e ka bazën dhe domethënien e shqipes, nga e cila u formuan edhe bazat e alfabeteve që dihen sot si shkronja latine, shkronja hebraishte, samaritano-palestineze, sirianishtes, arabishtes dhe greqishtes. Të gjitha të theksuarat, Katapano, në studimin e vetë, dëshmon gjerësisht dhe të argumentuar me fakte bindëse, prezantimi i të cilëve, në këtë shkrim revyal, do të ishte tejet i gjatë.

Së fundi, edhe disa fakte historiografike që dëshmojnë lashtësinë e madhe të popullit tonë.

Të gjithëve na është e njohur vepra e Homerit “ILIADA”, ku përshkruhet lufta 10-vjeçare e ahejëve kundër trojanëve, udhëhequr nga komandanti legjendar i fiseve të bashkuara të POLISAVE (shteteve ) të Greqisë Antike-Agamemnoni. Kjo vepër epike, e shtjelluar shumë mirë dhe me mjaft elemente mitologjike, shkaktoi bujë të madhe jo vetëm në qarqet e historisë letrare botërore si një krijimtari e vlefshme artistike që dëshmonte shkallën e lartë të kulturës antike, por nisur nga përshkrimi tejet i qartë i hapësirës gjeografike të vendndodhjes, ngacmoi historianët dhe arkeologët që të mbështeten në një hipotezë tejet të guximshme se Lufta e Trojës vërtetë ka ndodhur në një kohë dhe hapësirë të caktuar.

Më i zëshmi dhe më këmbëngulësi në këtë hipotezë ishte arkeologu dhe helenisti i madh gjerman Hajnri Shliman (1822-1890), i cili, pas gjurmimeve të bëra arkeologjike arriti të dëshmoj shumë fakte se Troja ekzistonte dhe se e tërë ngjarja nga Epi i Homerit “ILIADA” ka ndodhur me të vërtetë në histori. Duke i bërë gjurmimet arkeologjike, të udhëhequra drejtpërdrejt nga vetë ai, në pjesën perëndimore të Azisë së sotme, ku tani shtrihet shteti i Turqisë, konkretisht, në rrafshnaltën e vendit HISARLIK, arriti të zbuloj gërmadhat e këtij qyteti, dhe kështu, një herë e përgjithmonë e largoi dyshimin se Lufta e Trojës ka ndodhur vërtetë dhe se Epi i famshëm i Homerit “Iliada” e përshkruante pikërisht këtë ngjarje historike.

Pas këtij zbulimi arkeologjik sensacional, me gjurmime të mëvonshme është vërtetuar se Lufta e Trojës është zhvilluar ndërmjet viteve 1194-1184 p.e.s

E tërë ngjarja rreth Luftës së Trojës për ne fare nuk do të ishte e rëndësishme sikur në vitet e 70-ta, nga ana e studiuesit dhe arkeologut brazilian S. PRAJS, nuk u paraqit vepra e tij e famshme “PUBLIKU I VERBËR I HOMERIT”. Në këtë vepër, Prajsi kundërshtonte si me fakte logjike ashtu edhe materiale-shkencore teorinë e gjertanishme dhe zbulimin arkeologjik të pranuar të Shlimanit se, Troja e vërtetë gjendet në rrafshnaltën e sotme të Turqisë Perëndimore HISALIK, por ajo shtrihet 180 shkallë në anën e kundërt të rruzullit, saktësisht në gjirin e Bokës së Kotorit, vendosur në mes të trekëndëshit të megjeve të kufirit, Mali i Zi, Kroaci e Bosnje e Hercegovinë. Pra, Troja e vjetër shtrihej në territorin e ish Jugosllavisë. Kjo hipotezë në qarqet e atëhershme shkencore dhe publicistike të Jugosllavisë, bëri një bujë të madhe dhe arriti popullaritet fantastik në opinionin e atëhershëm, për tu zbehur dhe heshtur më vonë në tërësi.

Çka ka ditur ai në të vërtetë për Atlantidën?

Më 20 tetor 1912, në revistën shkencore “NJU YORK AMERIKEN” u botua artikulli sensacional me titull: “ SI E KAM ZBULUAR ATLANTIDËN-PRACIVILIZIMIN E TË GJITHA CIVILIZIMEVE?”. Autori i këtij dorëshkrimi ishte PAUL SHLIMAN. Dr. Paul Shliman është nipi i Henri Shlimanit të famshëm.

Teksti i artikullit në fjalë ishte: “Disa ditë para vdekjes, në Napoli, më 1890, gjyshi im, Henri Shliman, i ka dorëzuar një mikut të tij të ngushtë zarfin e mbudhur, ku me dorëshkrimin e vet personal ka shkruar : – Le ta hapi këtë letër vetëm ai anëtar i familjes sime i cili do të betohet se tërë jetën e vet do t’ia kushtojë hulumtimeve që janë të përcaktuara në të.

Një orë para vdekjes gjyshi im kishte kërkuar lapsin dhe letër, dhe në të, me një dorëshkrim të lodhur, kishte shtuar edhe një porosi: – Shtesa e fshehtë asaj që gjendet në zarfin e mbudhur: Thyeje vazon me kokën e sorrës dhe hulumtoje përmbajtjen e saj. Ka të bëj me Atlantidën. Varri, në lindje të gërmadhave të tempullit në Saisu dhe në varrin që gjendet në rrafshnaltën ÇAKUNA. Me rrëndësi! Do të gjesh dëshmitë mbi vërtetësinë e hipotezës sime. Nata vjen. Lamtumirë!…

Këtë porosi në besim, gjyshi im ia jep një mikut të besueshëm të cilës ia bashkëngjit edhe zarfin e mbudhur, dhe ky të gjitha këto i deponon në një bankë franceze.

Kur i mbarova studimet në Rusi, Gjermani dhe në Lindje, kisha vendosur që t’i vazhdoj gjurmët e gjyshit tim të lavdishëm. Në vitin 1906 veprova ashtu sikurse kishte kërkuar gjyshi, dhe e hapa zarfin. Në te kam hasur në dokumente të ndryshme dhe fotografi, por edhe porosinë:- Ai i cili do ta hap këtë zarf, së pari duhej zotohet se do ta vazhdoj rrugën e veprës sime të pakryer… kam ardhur në përfundim se Atlantida e hershme nuk ka qenë vetëm një gërmadhë e qytetit të vjetër që shtrihej ndërmjet kontinentit të Amerikës së sotme dhe brigjeve perëndimore të Evropës de Afrikës, por ajo ishte një pracivilizim mbi të gjitha civilizimet ekzistuese që dihen gjer më tani. Në materialet që kam grumbulluar, do të gjenden skica, shënime dhe dëshmi tjera që shpijnë në zbulimin definitiv të Atlantidës.

Ai që do ta vazhdon veprën time të pakryer, së pari duhet t’i shfrytëzoj të gjitha aftësitë e veta që disponon dhe, së dyti, do ta ketë si obligim që ta publikoj të vërtetën se unë kam qenë iniciator i vërtetë i këtij aksioni.

Banka franceze disponon në trezorin e vet mjete të konsiderueshme financiare që do t’i vihen në dispozicion atij që vendos ta përfundoj këtë iniciativë, e ato mjete simbas mendimit tim duhet të jenë të mjaftueshme për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të këtij aksioni.