Mustafa: 28 Nëntori, ditë që na bashkon

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, 103 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar.

Mustafa ka theksuar se në këtë përvjetor, “shqiptarët me të drejtë mund të festojnë për arritjet e tyre, kudo që jetojnë, ndërsa gjejnë motiv për të punuar edhe më shumë për të arritur aspiratat e integrimit mes veti dhe me aleatët e tyre natyralë”.

“Kjo festë na obligon të nderojmë veprën e të gjithë atyre që punuan, e u sakrifikuan për kombin tonë. Na obligon të jemi mirënjohës ndaj kontributit të atyre që e krijuan dhe ndërtuan shtetin shqiptar, por edhe ndaj atyre që krijuan shtetin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.

Republika e Kosovës, sipas kryeministrit Mustafa, po punon fuqishëm për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe për të forcuar lidhjet e bashkëpunimit me vendet demokratike të botës, të cilat gjithmonë kanë qenë krah i aspiratave liridashëse e paqedashëse të shqiptarëve. /Telegrafi/