Mustafa: Asociacioni dhe demarkacioni nuk janë kauza e opozitës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke e akuzuar opozitën se kauza e saj është e paqëndrueshme. Në fjalën e tij nga salla alternative e Kuvendit të Kosovës, Mustafa tha se dëshiron të dëgjojë argumentet e opozitës duke e ftuar edhe njëherë për debat.

Mustafa tha se gjendja aktuale kërkon marrjen e masave, duke potencuar se këtë gjendje nuk mund ta sanojë askush tjetër përveç vetë Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës.

“Kjo gjendje kërkon marrjen e masave. Unë nuk shoh askënd që këtë gjendje mund ta sanojë përveç nesh: Kuvendi, Qeveria dhe institucionet tjera. Nuk mundet që gjendja të degradojë dhe pastaj dikush tjetër të marrë masa, pasi ne kemi shpallur pavarësinë. Nuk kemi të bëjmë me dështimin e institucioneve, por kemi të bëjmë me opozitën që përdorë mjete të dhunshme për këtë situatë”, theksoi ai.

Ai tha se dimensioni i problemit ka tejkaluar Kuvendin, duke shtuar se dhuna ka marrë përmasa edhe jashtë institucionit të Kuvendit.

Mustafa shtoi se askush nuk ka të drejtë ta uzurpojë Kuvendin e Kosovës

“Nuk po ngjajnë problemet vetëm në Kuvend përmes gazit lotsjellës, sprejit, por po ngjajnë edhe jashtë Kuvendit. Po shkatërrohen prona private dhe publike. Dimensionet e problemit kapërcejnë gjendjen në Kuvend. Askush nuk ka të drejtë të uzurpojë Kuvendin e Kosovës. Askush nuk ka të drejtë të cenoje funksionimin kushtetues të vendit”, tha Mustafa.

Duke ftuar opozitën për debat, ai tha se për të Asociacioni dhe demarkacioni nuk janë arsyet e vërteta.

Sipas tij, kjo nuk është akuza e njëmendtë e opozitës.

“Ftoj edhe njëherë opozitën të paraqes arsyet e vërteta. Për mua nuk është arsye asociacioni dhe demarkacioni. Askush nuk mund të marr si kauzë për të bërë veprime të tilla, me djeg vetura, me ushtru dhunë, me shpërnda gaz lotsjellës. Opozita të tregojë ku i ka problemet e vërteta. Po sulmohet shteti i ri i Kosovës”, tha kryeministri.

“Askush nga ne nuk e ka rreziku sistemin kushtetues. Nuk mbrohet sistemi kushtetues duke e rrënu Kushtetutën dhe duke e pengu punën e Kuvendit. Ne dëshirojmë të komunikojmë më qytetarët e Kosovës. Tu thomë atyre të vërtetën, jo me dhun, por me argumente. Do t’i ballafaqojmë argumentet për çdo centimetër tokë të Kosovë. Në qoftë se Komisioni Shtetëror ka bërë gabime do t’i bartë përgjegjësitë. Do t’ia lëmë një komisioni ndërkombëtarr që do të marr dokumentacionin e Komisionit Shtetëror dhe të opozitës.”

Sipas tij, nuk ka arsye për të hedhur gaz në Kuvendin e Kosovësm për të djegur automobila dhe për të sulmuar objektin e Kuvendit, pasi janë gjëra që zgjidhen me anë të dialogut.