Mustafa: Do t’i hapim 120 mijë vende të punës

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, e ka vlerësuar të suksesshëm vitin e parë të Qeverisë që ai drejton. Në mesin e të arriturave të kësaj Qeverie, Mustafa ka thënë se janë nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), pagesa për veteranët e luftës së UÇK-së dhe investimet në infrastrukturë e në bujqësi. Sipas tij, viti i parë i kësaj Qeverie ka qenë vit i vendimeve të mëdha, ndërsa për vitin e ardhshëm Mustafa ka thënë se Qeveria do t’i ketë dy prioritete kryesore: luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik.

Ai madje është shprehur i bindur se në këtë mandat qeverisës do të realizojë premtimin për krijimin e 120 mijë vendeve të reja të punës. Mustafa gjithashtu është shprehur i bindur se regjimi i vizave për kosovarët do të hiqet në vitin e ardhshëm. Këto deklarata kreu i Qeverisë i ka dhënë në një konferencë për media me rastin e njëvjetorit të fillimit të mandatit të tij qeverisës.

“Vlerësoj se ky ka qenë një vit i ballafaqimit me vendime të mëdha. Pra, ka qenë një vit i fillimit të ndryshimeve të mëdha në Kosovë. Po ashtu, vlerësoj se koalicioni qeverisës ka qenë një koalicion stabil, i cili ka arritur që të kapërcejë të gjitha situatat e marrjes së disa vendimeve, të cilat nuk kanë qenë të lehta”, ka vlerësuar Mustafa.

Ai është shprehur i bindur se do ta realizojë premtimin e tij në fushatë parazgjedhore për punësimin e 120 mijë personave gjatë mandatit katërvjeçar./Zeri