Mustafa mbështet Presidenten për zgjidhjen e krizës

Pasi i dështoi takimi në të cilin e thirri opozitën për të biseduar për zgjidhjen e krizës, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, u takua me Presidenten e vendit e cila po ashtu ka nisur përpjekjet për ta gjetur një zgjidhje. Mustafa i ka shprehur mbështetje angazhimit të presidentes për zgjidhjen e krizës

Pas liderëve opozitarë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka pritur në takim kryeministrin Isa Mustafa, me të cilin ka biseduar rreth gjetjes së një zgjidhje për situatën politike.

Pas takimit kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se me Jahjagën ka takime të rregullta, por sot biseduan edhe për iniciativën e saj për të gjetur një rrugëdalje për krizën politike.
Mustafa theksoi se ata do ta përkrahin çdo iniciativë për të kaluar krizën aktuale politike.
Kreu i ekzekutivit nuk foli nëse janë përafruar qëndrimet mes pozitës dhe opozitës, por theksoi se duhet të dilet nga kjo situatë në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, transmeton KosovaPress.

Gjatë ditës Jahjaga ka pritur në takim edhe liderët e opozitës, të cilët ia kanë dorëzuar në mënyrë të shkruar kërkesat e tyre, që ishin anulimi i marrëveshjeve dhe lirimi i të gjithë deputetëve dhe aktivistëve të opozitës./gazeta express/