Mustafa përsërit së në Kosovë do të ketë vetëm grumbullim të votave për zgjedhjet në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe, duke thënë se nuk kanë marrëveshje të veçantë me Serbinë, por e kanë autorizimin e OSBE për grumbullimin e votave.
Ai ka thënë se për zgjedhjet e Serbisë që do të mbahen me 24 prill, votat vetëm do të grumbullohen këtu nga OSBE.

“Nuk flitet për zgjedhje klasike por vetëm një grumbullim të votave dhe ne e kemi realizuar këtë të drejtë, prandaj OSBE do të grumbullojë votat këtu, por ato nuk numërohen në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa, njofton KP.

Ai këto komente i ka bërë pas përfundimit të takimit ku është nënshkruar një Marrëveshje  Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Odes Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Odes Ekonomike Amerikane në Kosovë për projektin e trajnimit në punë me qëllim të krijimit të mundësive të reja të punësimit për punëkërkuesit dhe të papunët e rinj, ku pritet të angazhohen 600 punëkërkues në të gjitha komunat e Kosovës.