Mustafa premtoi përmbushjen e të gjitha kushteve për vizat deri në muajin nëntor

Isa Mustafa para dy muajsh kishte thënë se Kosova nga 95 kritere për liberalizimin e vizave i ka plotësuar 87 prej tyre.

Kryeministri Isa Mustafa pas kthimit nga New York në muajin nëntor, kishte tënë se Kosova ka plotësuar 87 nga 95 kriteret për liberalizimin e vizave.

“Nga 95 kritere teknike të cilat janë parashtruar para nesh, i kemi plotësuar krejtësisht 87. Kanë mbetur edhe disa, për të cilat do ta bëjmë tani një Task Forcë dhe do të procedojmë me to deri në fund të nëntorit, në mënyrë që të gjitha kriteret t’i kemi të plotësuara krejtësisht, dhe të presim që të merret vendimi politik në nivel të Bashkimit Evropian”, kishte thënë Mustafa, pas bisedave që delegacioni i Kosovës kishte zhvilluar me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, përfaqësuesen e lartë të BE’së për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, komisionerin e BE’së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.

Këshilli i Bashkimit Evropian bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit ku theksohet se Kosova duhet të bëjë progres për procesin e liberalizimit të vizave. Aty nuk i jepet drita e gjelbër që kosovarët të udhëtojnë pa viza. Kjo është trajtuar në rreshtat e pakët që KE i ka kushtuar kësaj çështjeje.