Në Drenas 14 mijë ndërtime pa leje, shumica në fshatra

Autoritetet komunale të Drenasit kanë evidentuar afro 14 mijë ndërtime pa leje. Sipas drejtorit për Urbanizëm, Betim Berisha, shumica e tyre janë në fshatra.

“Nuk kanë munguar as ndërtimet në qytetin e Drenasit, të cilat para lufte nuk ishin edhe aq të shumta”, ka thënën Berisha. E nga kjo mori ndërtimesh ilegale, vetëm 48 aplikues kanë kërkuar legalizimin e ndërtimeve të tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas drejtorit Berisha, një varg ndërtimesh janë bërë pa u penguar edhe në pronën komunale, tokat e rregulluara me komasacion, apo edhe në lokacionet ku pengohet plani urbanistik i qytetit.

Subjektet opozitare e shohin të humbur betejën e pushtetit me ndërtimet pa leje,

Rifat Bilalli, nënkryetari i LDK-së në këtë komunë, ka thënë se ndërtimet nisën që nga paslufta nga njerëz që u interesoi vetëm përfitimi personal.

“Ata kryen një varg ndërtimesh të larta banesore vend e pa vend, madje deri në nëntë kate, që nuk janë të lejuara sipas planit urbanistik e atij rregullativ të qytetit. Kjo e ka dëmtuar shumë buxhetin e komunës. Në ato ndërtime, janë shitur banesa të shumta, për të cilat ndërtuesit kanë marrë shuma të mira parash”, ka thënë Bilalli.

Ai ka potencuar se një numër ndërtimesh janë bërë në prona komunale, porse komuna është treguar e pafuqishme në parandalimin e këtyre veprimeve.

“Kjo dukuri,me siguri se do të lërë pasoja në të ardhmen e kësaj komune, për ta vendosur rregull ligjor në fushën e ndërtimeve”, është shprehur Bilalli.

Këshilltarja Sabrije Rrukiqi nga Nisma për Kosovën ka thënë se ndërtimet pa leje kanë dëmtuar edhe pamjen e Drenasit.

“Ato kanë dëmtuar si planin urbanistik, po ashtu edhe buxhetin. Nga këto ndërtime do të siguroheshin të hyra të shumta, me të cilat komuna do të kishte mundësi më të madhe për të investuar në projekte infrastrukturore, në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë Rrukiqi.

Kurse Fehmi Ademi, banues në Drenas, thotë se ndërtimet dosido i kanë dhënë pamje të keqe qytetit.