Në Gjilan hapësirat e gjelbërta dhe drunjtë dekorativ nën mëshirën e kohës

hapësirat e gjelbërta

Komuna e Gjilanit viteve të fundit kishte bërë disa përpjekje për gjelbërimin e qytetit, duke rivitalizuar disa hapësira të gjelbërta dhe duke ngritur hapësira të reja.

Vetëm gjatë viteve 2011-2013 në qytetin e Gjilanit u patën mbjellur mbi 2000 drunjë dekorativ dhe mijëra bimë tjera dekorative. Me projekt parashihej që në vitin 2014 të mbilleshin edhe 2000 drunjë të tjerë dekorativ dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbërta. Drunjtë dekorativ dhe të gjitha hapësirat e gjelbërta mirëmbaheshin nga institucionet përgjegjëse dhe si të tilla, qytetit të Gjilanit, përveç aspektit ekologjik, i jepnin një pamje shumë të bukur, që e bënte të dukej si një qendër urbane, me një kulturë dhe traditë të lashtë të qytetërimit ka thënë Shukrije Rapuca.

Rapuca thotë se ndryshimet politike që ndodhën me zgjedhjet lokale të vitit 2013, të cilat ndryshime e sollën në pushtet LDK-në, ndryshuan shumë gjëra. Ndryshoi edhe qasja e institucioneve komunale ndaj hapësirave të gjelbërta. Projekti që parashihte mbjelljen edhe të 2000 drunjëve dekorativ u ndërpre menjëherë. Shume drunjë dekorativ u thanë për shkak të mungesës së kujdesit të duhur ndaj tyre, disa prej tyre u dëmtuan nga automjetet dhe askush nuk u mor me ta e lere më të zëvendësoheshin me drunjë të rinjë. Ç’është më e keqja edhe vet institucionet komunale, gjatë punimeve ne infrastrukturën komunale po i shkatërrojnë pa asnjë arsye drunjtë dekorativ të qytetit. Një shembull të tillë e kemi në rrugën që shpie nga qyteti për në lagjen e Zabelit.

Ka dy muaj që kanë filluar punimet për rregullimin e trotuarit në këtë rrugë duke nxjerrur dhe shkatërruar me dhjetëra drunjë dekorativ në vend se të bëhej zhvendosja e tyre me që kishte hapësirë të mjaftueshme. Ky shembull më së miri tregon për qasjen ndaj pronës publike (të investuar nga taksat e qytetarëve), që kanë institucionet komunale si hartuese të projekteve infrastrukturore, tregon qasjen e kompanive që implementojnë projektet dhe qasjen e komisioneve mbikëqyrëse të këtyre projekteve. Ky shembull gjithashtu tregon edhe indiferencën e vet kryetarit të komunës, pasi bëhet fjalë për rrugën mu para derës së shtëpisë së tij. Është për tu habitur se si kryetarit nuk i ka ra në sy ky shkatërrim që bëhet mu para shtëpisë së tij edhe pse Unë këtë problem e kam ngritur dy herë në Kuvendin Komunal.

Të sillesh në këtë mënyrë ndaj pasurisë publike, është papërgjegjësi e plotë institucionale, është mungesë respekti për vet publikun, është mungesë kulture qytetare, është mungesë ndjenjash për ambienti ka thënë Shukrije Rapuca këshilltare e Kuvendit Komunal në Gjilan. /rajonipress/