Në konflikt për shkak të Ulqinit: Rama kundërshton planin malazias për “Korridorin e Kaltër”

“Korridori i Kaltër” është rruga që pritet të ndërtohet vitin e ardhshëm dhe që do të lidhë Kroacinë me Greqinë, duke kaluar nga Mali i Zi dhe Shqipëria. Gjatë samitit që u zhvillua para dy ditësh në Kinë, Qeveria e Pekinit ra dakord për të financuar studimin e fizibilitetit nga një kompani kineze, për të siguruar më pas të gjithë tenderin e madh të ndërtimit.

Por, pikërisht pas nënshkrimit të Memorandumit në mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe kompanisë kineze “Pacifik”, kanë nisur përplasjes mes qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi për caktimin e pikave ku do të kalojë autostrada.

Qeveria e Malit të Zi kërkon që “Korridori i Kaltër” të kalojë nëpër aksin aktual të autostradës së Podgoricës, gjë që e çon rrugën në Han të Hotit, duke kaluar nga Malësia e Madhe.

Por, Edi Rama ka kundërshtuar këtë itinerar duke ngulmuar kalimin nga Ulqini. Siç mësohet, Rama u ka thënë se nuk bëhet fjalë aspak për nacionalizëm, por kështu justifikohet korridori bregdetar, pasi kalon nga vija bregdetare: Ulqin-Velipojë e më pas në Shëngjin-Patok e kështu me radhë. Ndërsa, versioni nga Podgorica e bën autostradën malore.

Ky detaj është i rëndësishëm, pasi do të duhet të vendoset tani nga kompania kineze “Pacifik” e cila do të bëjë studimin e fizibilitetit.

Kjo betejë që po zhvillohet ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, është shumë e rëndësishme për qytetin e Ulqinit, i cili është lënë në xhep të gjithë autostradës që lidh bregdetin dalmat me pjesën e Adriatikut të Ulqinit dhe derdhjes së lumit Buna.

Podgorica synon që të mos e transferojë në Ulqin rrugën që pritet të derdhë në qytetin shqiptar një numër të madh turistësh, të cilët tani dynden vetëm në Budvë, duke i siguruar qytetit të madh malazez një shifër marramendëse fitimesh nga industria e turizmit.

Deri tani nuk ka pasur as një mobilizim për këtë çështje nga ana e partive politike shqiptare në Mal të Zi, kryesisht ata të Ulqinit, pasi ata janë të zëna në përplasjen mes vetes dhe sherrin për ashensorin në kala. /TeSheshi/