Ngujohet familja Peqani, kërcënohen me jetë në këmbim të 300 mijë eurove (Video)

Familjarët e Naim Peqanit janë ngujuar prej një muaji. Ata u kërcënuan nga disa persona se do t’i vrasin nëse nuk ua japin atyre një shumë prej 300 mijë eurove.

“Jemi të kërcënum, po na lypin me na vra. Nuk kemi dalë as në prag të shpijes, ia kemi ndërpre shkollën edhe fëmijëve edhe krejt veç mos me ardh deri te një vrasje”, thotë ai për Klan Kosova.

Kryefamiljari thotë se nuk ka lëndë vend pa u ankuar.

“As policia e shtetit, as policia rajonale, as prokuroria speciale, as Inspektoriati Policor, të gjitha i kemi faktet edhe dëshmitë që ju kemi tregu ashiqare që personat po na kërkojnë harraq 300 mijë euro pa kurrfarë baze”, tha ai.

Përveç kësaj, vëllai Bekimi në emër të të cilit po kërkojnë para ka gati një muaj që nuk është kthyer në shtëpi.

“300 mijë euro kur i ka kërkue vëllai është zhdukur, nuk e kemi pa më vëllaun kurrë, a e kanë këta të kidnapum apo është vllavi në bashkëpunim me ata na nuk po e dimë as vetë”, theksoi Naim Peqani.

E vëllai tjetër i cili nuk dëshiron të identifikohet thotë se u rrah nga po këta kërcënues para një jave kur doli me familje në një qendër tregtare në Fushë Kosovë.

Naimi distanciohet nga borxhi i mundshëm i vëllait.

Personat që po kërkojnë 300 mijë euro kanë thënë për Klan Kosovën se Bekimi u ka marrë disa vetura të cilat kurrë nuk i ka paguar.