Një shkollë në Ferizaj e rriti për nga 20 vetë numrin e nxënësve në klasë.

Artiola Bucaliu është nxënëse e klasës së dhjetë në gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj dhe thotë se shpesh është e vështirë që të kesh fjalën qoftë edhe për disa sekonda në orë mësimore.

Kjo për shkak se klasa e saj ka 53 nxënës.

Agim Tmava, profesor i lëndës së Historisë thotë se numri i madh i nxënësve në një klasë mësimi, shkakton shumë zhurmë.

“Problem ka me zhurmën ngapak, mirëpo po presim prej komunës që të ketë lirim hapësirash në mënyrë që kushtet të normalizohen, sepse lirimi i hapësirës është lehtësim për procesin mësimor. Por, me gjithë këtë situatë ne kemi nxënës të shkëlqyer dhe shumë të aftë në mësime”, ka thënë Tmava.

Naser Osmani, drejtor i shkollës thotë se kjo gjeneratë ka 600 nxënës më shumë se sa që ishte planifikuar dhe se numri i nxënësve nuk është rritur nga ndikimet politike.

“Ka pasur një konkurrencë jashtëzakonisht të madhe në këtë gjimnaz marrë parasysh se janë drejtime më të lehta dhe profile arsimore, ndaj interesimi ishte i madh. Kemi deri në 48 nxënës në një klasë, mirëpo në gjithë atë interesim të madh që është shfaqur nuk kemi mundur t’i lëmë nxënësit në rrugë”, ka thënë Osmani.

Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Muhamet Halili, nuk është prononcuar për këtë çështje derisa opozita e kësaj komune dhe shoqëria fajësojnë kryetarin Muharrem Svarqa, për gjendjen aktuale në arsim.

E Kristina Gashi Bytyqi e PDK-së, ka thënë se kryetari i Ferizajt nuk e ka marrë seriozisht punën e arsimit në këtë komunë.

“Jemi dëshmitarë që ka stëngarkesë në gjimnaz me një numër nxënësish mbi 50, gjë që tregon se kryetari Svarqa sa ka interesim për mësim cilësor dhe të reformuar në këtë komunë”, ka thënë ajo.

E, në rrjetin e organizatave joqeveritare, Avonet, kanë thënë se me këtë mbingarkesë nuk mund të ketë mësim cilësor.