Njihuni me nënat shqiptare që lindën më shumë se 10 fëmijë

Këtu e disa dekada të më parë, sipas një dekreti të Kuvendit Popullor, u vendos t’u jepet titulli i nderit “Nënë Heroinë” nënave që kishin lindur shumë fëmijë dhe kishin arritje në punë.

Dhe, Tropoja është treva pararojë që ato vite, pra para ‘90-ës shënoi rekorde në lindjen e fëmijëve. Ishin shumë gra të cilat u shpallën “Nëna Heroina”, pasi sollën në jetë mbi 10 fëmijë

Duke shfletuar shtypin lokal të kohës, lexojmë se vetëm në vitin 1988 , 9 gra tropojanë u shpallën

“Heronia”, pasi lindën nga 10 deri në 12 fëmijë, siç ishin: Lulë Muslia, Ajmane Muhametaj, Cymë Sadikaj, Aishe Lamaj, Feride Hoxha, Zade Sulaj, Zade Haklaj, Neslie Gjura dhe Mire Doshlani.

Po ashtu, titullin “Nëna Heroinë” e mori dhe Shkurtë Sadri Kokaj, motra e “Heroit të Popullit”, Ramë Sadria (Metaliaj).

Ka qënë i fortë ai brez nënash, pasi punonin tërë jetën punë krahu dhe kanë ngrënë bukë misri hibrid dhe turshi. Kush mbijetonte, jetonte gjatë. Janë këto rrëfime të vetë nënave me shumë fëmijë të shpallura “Nëna Heroinë”.

Ja historia e njërës prej tyre: “Një ditë pranvere po kullosnim bagëtinë dhe ishim bashkë disa çobanesha me dhi. Në mbrëmje, kur po bëheshim gati për t’u kthyer në fshat, unë u thashë shoqeve se kam për të ngarkuar dru, prandaj po bëj gati barrën aty matanë, në përrua, dhe u shkëputa prej tyre pasi nuk e ndieja veten mirë dhe kisha dhimbje. Pas pak, në muzg, kur dhitë kishin nisur rrugën e kthimit për fshat e shoqet e mia i ndiqnin nga prapa, unë isha pas tyre. Ato u shtangën kur më panë mua drungërkuar dhe me djalin e sapolindur të mbështjellur në shaminë dhe setren time. “A është i bukur?”,- u thashë. “Sapo e linda te shpella e Kaponit…”

Tani që ato janë plakur, e disa kanë ikur nga kjo botë, por me pasardhës një dyzinë pinjollësh, po t’i pyesësh për vështirësitë e rritjes së fëmijëve, ato nuk pranojnë të flasin gjatë, por thellë ofshajnë dhe mërmërisin diçka në gjuhë që nuk u kupton asgjë.

”Zgjohesha në orën pesë të mëngjesit, kujton njëra prej tyre, bëja punët e shtëpisë, ushqeja me bukë të 10 fëmijët e në ora 7 pa një çerek paraqitesha në punë.”

Traditat e lindjes së shumë fëmijëve ka vazhduar edhe pas viteve 90-të. Nënë Zadja për shembull, heroina e pashpallur, e denjë edhe për në librin e rekordeve Guinness, nga fshati Rosujë i Bujanit, gratë që shndërrohen në burra, ka lindur e rritur 14 fëmijë; apo Lina nga Nikaj Merturi 12 fëmijë, etj.

Sot, mbase për nuset e reja këto ngjajnë si përralla.

Por duhet të dijnë se një komb që nuk ripërtërin sojin e vet, është i shuar. Malësorët e malësoret, edhe me këtë vetëdijetë lartë atdhetare kanë sjellë në jetë kaq shumë fëmijë, ndonëse në 50 vite kjo vetëdije u bë me pahir dhe pak ideologjike, duke shtuar dhe partinë.