No Kuka, no Party

Trajneri mund të konsiderohet si një baba në fushën e sportit. Prania e tij i jep motiv dhe moral një sportisti. E mungesa e tij ndihet shumë, pasi sportistit i humb vetëbesimi dhe ndihet i zbrazët. Akili, Nora e Distria dështuan në Kore. Shkaku? Mungesa e trajnerit të tyre, Driton Kuka, me të cilin kanë edhe lidhje shpirtërore, sepse me të janë rritur

Rëndësia e trajnerit në sport është e padiskutueshme. Ai është si një baba për sportistët, të cilët i drejton, menaxhon dhe i mëson se si të veprojnë në fushë apo parket, përpos stërvitjeve të përditshme.

Ndonjëherë, mjafton prania e tij, për t’i bërë sportistët të ndihen më të plotë, më të mbushur. Kritikat apo këshillat e tij mund ta fitojnë lojën apo luftën. E pa praninë e tij, sportistët ndihen më të vetmuar dhe me më pak vetëbesim.

Njësoj ndodhi javën e kaluar edhe me tre xhudistët kosovarë, Akil Gjakova, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, të cilët morën pjesë në “Grand Prix Jeju 2015”, shkruan Zëri.

Për dallim nga shumica e herëve, në Kore të Jugut ata nuk e patën me vete trajnerin Driton Kuka, i cili kishte angazhime tjera në Kosovë. Dhe, mosprezenca e tij u vërejt në rezultate, pasi ata u eliminuan herët nga ky eveniment.

Kuka e pranon se prania e trajnerit ndikon te sportistët, por zbulon se është duke u munduar që t’i pavarësojë ata, pasi garuesit e tij janë të lidhur ngushtë me trajnerin më të suksesshëm shqiptar të të gjitha kohëve.

“Natyrisht, prania e trajnerit e ka vlerën e vet, edhe pse garuesit tanë më shumë kishin probleme me rezultate, sesa me paraqitje në Kore. Në sportin e xhudos, roli i trajnerit është i jashtëzakonshëm. Sportisti ka nevojë për përkrahje morale para lojës, por edhe për taktika dhe strategji, të cilat duhet t’i përdorë gjatë luftës”, thotë për “Zërin”, trajneri Kuka.

Shtrohet pyetja: a ka të bëjë me frikën, kur Dritoni është prezent dhe i udhëheq në luftëra, apo diçka tjetër. “Majlinda, Nora, Distria dhe Akili janë rritur me mua dhe janë të lidhur thuajse 100 për qind me mua. Kemi ushtruar bashkë që nga fëmijëria e tyre dhe prania ime ndikon, është më ndryshe. Nuk mendoj se ka të bëjë me frikën. Ata janë të lidhur me mua, ka të bëjë me aspektin shpirtëror”, vazhdoi ai./zeriinfo/