Nuk kemi ndërhyrë në gjyqësor

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e kanë përshëndetur protestën e së shtunës që kaloi e qetë dhe pa incidente, ndërsa i kanë dhënë mbështetje të plotë Policisë së Kosovës për intervenimin në zyrat e “Vetëvendosjes”.

Të tri institucionet e Republikës, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, kanë kërkuar dialog me opozitën për dalje nga blloku parlamentar.

Presidentja, Atifete Jahjaga, ka vlerësuar mbarëvajtjen e manifestimit të organizuar nga tri subjekte politike, më 28 nëntor, dhe çmon sjelljen e dinjitetshme të qytetarëve në ditën e festës.

Ajo ripërsëriti qëndrimin se zgjidhjet për çdo shqetësim duhet të gjenden përmes dialogut në kuadër të institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike, që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të vendit.

Jahjaga bën thirrje për vendosjen e dialogut politik ndërmjet të të gjitha subjekteve politike të vendit, me qëllim të shmangies së përdorimit të dhunës dhe të imponimeve si mjet të zgjidhjes, që rrjedhimisht siguron rendin demokratik në vend.

Përkushtimi për ndërtimin e shtetit të së drejtës nënkupton zbatim të plotë të ligjit dhe njëkohësisht edhe respektim të rendit e në veçanti të organeve të drejtësisë, që funksionojnë të pavarura.