Obiliqi u bashkohet komunave që janë kundër marrëveshjeve të fundit me Serbinë

Kuvendi Komunal i Obiliqit i është bashkuar disa kuvendeve për të miratuar deklaratë kundër marrëveshjeve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bisedimet që janë duke u mbajtur në Bruksel në nivel kryeministrash.

Propozimin e ka bërë këshilltari i vetëm i LVV-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, Labinot Hashani, i cili ka marrë mbështetje edhe nga partia në pushtet AAK, një këshilltar i PDK-së dhe atyre të LB-së, ndërsa kanë abstenuar LDK, pjesa tjetër e PDK-së dhe PD-ja, ndërsa është kundërshtuar nga anëtari i GIS-it, i cili në momentin e votimit të saj ka lëshuar sallën.

Në deklaratë thuhet se negociatat midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, përgjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë të favorshme për këtë të fundit.

“Ajo që dihet tashmë hapur është se pikërisht nga këto negociata pa kushte dhe pa parime Serbia po i afrohet më shumë Bashkimit Evropian dhe po e forcon pozitën e saj në raport me çështjet e brendshme të Kosovës, ndërsa në anën tjetër Kosova po dëmtohet në vazhdimësi. Pas disa marrëveshjeve të dëmshme dhe jo kushtetuese në kurriz të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, të martën me datë 25 gusht, Kryeministri i Republikës së Kosovës nënshkroi marrëveshjen për krijimin e ‘Zajednicës”, thuhet në këtë deklaratë të propozuar nga këshilltari i LVV-së.

Më tej thuhet se krijimi i “Zajednicës” është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme dhe cenon sovranitetin e vendit, raporton Koha.net.