Olayinka te Gent, transferimi i përfunduar

Pas konfirmimit të kualitetit te Skënderbeu dhe paraqitjeve mbresëlënëse në grupet e Europa League, Peter Olayinka cilësohet si një prej talentëve të sigurt që do të largohen në merkaton e janarit.

Sulmuesi 20 vjeçar ishte i pranishëm në impiantin “Ghelamco Arena” të Gentit, ku vendasit fituan 1-0 përballë Zultes në sfidën e Kupës së Belgjikës.

Prezenca e Olayinkës nuk ka qenë e rastësishme. Përkundrazi, vizita e nigerianit cilësohet si një mënyrë për ti hapur rrugën kalimit të afërt në Jupiler Pro Ligën belge.

Sipas mediave në këtë vend, transferimi i Peter Olayinka është pothuajse i përfunduar, ndërsa u aludua se prej së mërkurës lojtari do të zhvillojë testet mjekësore.

Sulmuesi 1,88 metër i gjatë ka qenë prej kohësh në vëmendjen e klubit të Gent, pasi emri i tij ka qarkulluar edhe në të kaluarën si përforcim në merkato, por vizita e Olayinkas janë edhe më të avancuara nga sa mendohej.

20-vjeçari ka shënuar 7 gola në këtë edicion të Kategorisë Superiore, në 13 takime të luajtura me Skënderbeun. Ai ka luajtur titullar edhe në katër ndeshje të grupeve të Europa League, ndërsa mungoi vetëm në Lisbonë, përballë Sportingut.

Ende nuk është bërë publike shifra që nënkampionët e Belgjikës do ti paguajnë Skënderbeut për kartonin e Olayinkas, ndërsa sipas faqes së specializuar “Transfermakt” çmimi i sulmuesit përllogaritet në 725 mijë euro./olle