Operacion antiterrorizëm, 4 të arrestuar mes Kosovës dhe Italisë

Katër të arrestuar dhe kontrolle të shumta gjatë një operacioni antiterrorizëm në Itali, të zhvilluar në Brescia. Në pranga kanë përfunduar katër qytetarë të Kosovës, të akuzuar për nxitje të terrorizmit dhe urrejtje raciale.

Operacioni është kryer ditën e djeshme dhe gjatë natës së lënë pas, në bashkëpunim me autoritetet e Prishtinës, ndërsa është shtrirë në disa qytete në Itali dhe Kosovë.

Policia e Brescia kishte të dhëna për një organizatë të mundshme terroriste, e cila përmes përdorimit të rrjeteve sociale, propagandonte ideologjinë xhihadiste.

“Koka” e grupit u arrestua në Kosovë, ndërsa mësohet se është një qytetar që ka jetuar për shumë kohë në Itali, por që është kapur në vendin e tij, ndërsa tre të tjerët u arrestuan në Itali, ku dhe jetojnë prej kohësh. I ndaluari në Kosovë është kapur në Han të Elezit i cili dyshohet për pjesëmarrje në luftën në Siri.

Gjatë ndalimit ju gjetën dhe armë. Lidhur me arrestimet policia ka bërë kontrolle në Brescia, Vicenza dhe Perugia.

Shqiptarët e Kosovës kishin publikuar në ueb, një sërë fotografish ku shiheshin me armë në dorë. Nga hetimet rezultoi se katër të ndaluarit ishin tejet radikal dhe ekstremistë, duke shfaqur sjellje tipike si militantët e ISIS./a.y/noa.al –