Opozita nuk bojkoton fjalimin e Presidentes, por e pret me aksione simbolike

Fjalimin vjetor të Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga në Kuvendin e Kosovës, opozita nuk do ta pengojë me gaz lotsjellës.

Pritet që Presidentja e Kosovës, të pritet me ndonjë aksion simbolik, ashtu siç ka ndodhur me presidentin austriak dhe komisionerin Hahn.

Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së AAK’së, ka thënë për Gazetën Express se opozita nuk e mirëpret fjalimin e Presidentes në Kuvend, por as nuk e pengon me “metoda klasike”.
“Nuk e mirëpresim fjalimin e presidentes në Kuvend në këtë kohë të krizës politike. Ajo në vend të fjalimit do të duhej të kishte bërë më shumë zgjidhjen e krizës. Por pavarësisht kësaj, AAK nuk do ta pengojë fjalimin e saj. Kjo do të thotë se nuk do të ketë kundërshtim klasik. Mund të ndodhë të ketë ndonjë veprim simbolik siç ka ndodhur me seancat solemne të Kuvendit ku kanë folur presidenti austriak dhe komisioneri Hahn”, ka thënë Nitaj për Gazetën Express.