Opozita nuk i del në “mejdan” Veselit

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u është drejtuar me një letër publike tre liderëve opozitarë, Visar Ymerit, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, duke kërkuar dialog dhe bashkëpunim për tejkalimin e krizës në Kuvend. Veseli, po ashtu, kërkon një seancë plenare vetëm për kërkesat e opozitës, e cila i është kundërpërgjigjur me “jo”.

Në letrën e kryeparlamentarit Veseli, ndër të tjera thuhet se MSA-ja ka qenë e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës, sipas tij, kanë dërguar në botë mesazhe jo të mira për Kosovën. Imazhi i Kosovës, siç thotë Veseli, është dëmtuar dhe janë lëkundur edhe pozicionet e korrektësisë reciproke politike dhe fryma e bashkëpunimit, “falë të cilës kemi arritur suksese të përbashkëta historike”.
“Ajo çfarë e dallon demokracinë nga format tjera të qeverisjes është besimi te vlerat e debatit parlamentar dhe sundimit të ligjit. Parlamentet janë krijuar që vendimmarrja politike të arrihet përmes fuqisë së fjalës së argumentuar. Në thelbin e tyre ato nënkuptojnë përjashtimin e dhunës si akt politik. Pa respektuar këto parime, do të jetë vështirë që dallimet politike të shfaqura së fundi të kanalizohen në vendimmarrje.

Veseli me këtë rast i fton tre liderët, që këtë javë, ose në një datë tjetër të përcaktuar, të debatojnë së bashkë në Kuvendin e Kosovës, pa prejudikime, për çështjet e ngritura nga opozita.
“Ne nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se jemi zgjedhur përfaqësues të popullit të Kosovës. Ne kemi obligime ndaj qytetarëve të Kosovës dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Kemi edhe obligime të partneritetit me shtetet mike të vendit tonë”, thotë ai.

Bashkëpunimi në Kuvend, sipas kryeparlamentarit, është rruga e duhur për të arritur deri te konsensusi politik. “Ne mund të punojmë së bashku, sepse janë gjërat e mëdha ato që na bashkojnë, atdhedashuria dhe vizioni i përbashkët euroatlantik për Republikën e Kosovës”, thuhet në fund të letrës së Veselit.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i opozitës, i cili e kundërshton idenë e Veselit, për debat në Kuvend.
Faton Topalli nga “Vetëvendosja” këtë e quan thirrje naive dhe përpjekje të dëshpëruar të kryeparlamentarit. “Kjo letër nuk është e mirëpritur nga opozita, duke ditur rolin e Kadri Veselit në seancat e mëhershme, dhe letra nuk u përgjigjet kërkesave të opozitës së bashkuar. E kemi thënë edhe më herët, nuk ka kuptim të diskutojmë në Kuvend për marrëveshjet që po cilësohen nga kryeministri si punë e kryer. Qeveria nuk po heq dorë nga marrëveshjet, as në këto momente kur Serbia po bën çmos që ta pengojë Kosovën në mekanizmat ndërkombëtarë”, thotë ai./ZËRI