Opozita nuk ndalet, vazhdon me kërkesat e saj

Pas takimit, përfaqësuesit e opozitës dolën në një konferencë për media me qëndrimet e tyre të njëjta.

Sipas opozitës, do të vazhdohet edhe më tutje me kundërshtimin e nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë atë të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe si dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se opozita do të vazhdojë manifestimin e saj këtë të shtunë në Gjakovë.

“Në këtë takim diskutuam për manifestimin që do ta mbajmë në Gjakovë të shtunën. Ky manifestim do të jetë si ai në Prishtinë dhe do të kërkojmë që të anulohen marrëveshjet”, ka thënë Ymeri, transmeton “Zëri”.

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të vazhdohet kundërshtimi i këtyre marrëveshjeve, duke thënë se ky kundërshtim tani do të bëhet në të gjitha rajonet veç e veç.

“Në kundërshtimin ndaj marrëveshjeve do ti kyçim tani edhe rajonet veç e veç. Do e nisim në Gjakovë. Kjo qeveri duhet të vetburgoset për marrëveshjet që ka nënshkruar”, ka deklaruar Harandinaj. /ZËRI/