“Orakujt e qepëve”, rituali i pazakontë i parashikimit të fatit  

Çdo mbrëmje më 24 janar, parashikuesit i lënë fletët e qepëve pranë një dritareje të hapur
Banorët në Urbania kanë përdorur qepët për të parashikuar motin që nga Mesjeta
Çdo vit, njerëzit në Urbania dhe provincat përreth presin rezultatet e qepëve

Nga leximi i filxhanëve të kafes, kockave, gjetheve të çajit e deri tek ekzaminimi i yjeve, njerëzit përgjatë historisë kanë kërkuar gjithmonë mënyra për të parashikuar të ardhmen. Në Evropën mesjetare, shumë njerëz filluan të interpretonin shenjat e perimeve të ndryshme për të parashikuar motin. Në Itali, historikisht, perimet që përdoreshin më shumë për këto hamendësime ishin qepët. 

Kjo praktikë përdorej kryesisht nga fermerët dhe përcillej brez pas brezi. Përmes kësaj njohurie, bujqit orientoheshin se kur duhej punuar toka, kur duheshin mbjellë farat dhe kur duheshin vjelë të korrat. Mirëpo, sipas të dhënave, parashikime të tilla bëheshin edhe për nisjen e luftërave. Mendohet se Duka i Montefeltro arriti të fitonte një betejë, pasi u konsultua me parashikuesit e qepëve, të cilët e informuan për motin dhe vijimësinë e konfliktit.

“Orakujt e qepëve” mund të gjenden sot kryesisht në rajonet qendrore dhe veriore të Italisë, por sidomos në qytetin bregdetar të Ankonës, apo edhe më në veri në Parma e Trento. Parashikimet e tyre botohen në gazetat lokale, si dhe shfaqen në një televizion rajonal në një rubrikë të dedikuar: “Qepët kanë folur edhe për këtë vit.” 

Çdo vit në mbrëmjen e 24 janarit në qytetin qendror të Italisë, Urbania, mësuesja lokale e shkollës, Emanuela Forlini, kryen ritualin e leximit të qepës, për të parashikuar motin. Ajo e ka praktikuar këtë metodë për 28 vite me radhë si një traditë që ia ka trashëguar babai dhe gjyshi i saj. Data e përzgjedhur për këtë ritual është e rrënjosur në katolicizëm, shpjegon Forlini.

“Tradicionalisht në Kishën Katolike, dita e 25 janarit është dita e konvertimit të Shën Palit në katolik. Natën e 24 janarit, Pali mori shenja të qarta për t’u bërë i krishterë. Po kjo natë u zgjodh si koha më e mirë për të lexuar qepët, pasi besohej se kishte një lloj magjie. Kisha katolike nuk e mbështet zyrtarisht praktikën. Ata nuk i falin këto gjëra dhe thonë: Kur luteni, lutuni shenjtorëve, jo qepëve. Megjithatë, kjo traditë për ne është një lloj krenarie… është pjesë e asaj që jemi, një pjesë e vogël e identitetit tonë që e sjellim nga e kaluara, në të tashmen drejt së ardhmes.”

Emanuela Forlini, parashikuese

Si kryhet parashikimi përmes një qepe

Prisni një qepë mesatare në katër pjesë, më pas vendosni 12 fletë të brendshme të saj në një dërrasë prej druri, në dy rreshta paralelë. Rreshti i sipërm përfaqëson muajt nga janari deri në qershor, i fundit përfaqëson korrikun deri në dhjetor. Spërkatini fletët me kripë të imët dhe lëreni dërrasën në një dritare me pamje nga lindja. Në agim, merrni dërrasën brenda dhe analizoni qepët.

Pjesa e sipërme e çdo flete përfaqëson 10 ditët e para të çdo muaji, pjesa e mesme 10 ditët e dyta dhe pjesa e poshtme 10 të tretat. Kripa e patretur nënkupton ditë të thata dhe me diell; kripa e shkrirë do të thotë shi, e ndoshta edhe borë për një muaj dimri; fetat e ngurtësuara me kristale kripe nënkuptojnë acar ose borë; ndërsa flluskat nënkuptojnë lagështinë.