Origjina “erotike” e ëmbëlsirave më të mira të Siçilisë

Caltanissetta në Siçilinë qendrore, shpesh pretendohet si “vendlindja” e cannolo-s. Ndryshe, ëmbëlsira e veçantë quhet ndonjëherë edhe “Shkopi i Moisiut” ose “Skeptri i Mbretit”.

Sipas legjendës, cannolo u përgatit fillimisht në nder të një emiri arab nga konkubinat e tij, ndaj forma falike e ëmbëlsirave nuk ishte rastësi. Brenda mureve të kuqe të kështjellës Pietrarossa, gratë thuhet se kalonin orë duke përgatitur receta të ëmbla së bashku.

“Origjina e kësaj torte të shijshme është e lidhur me legjenda dhe mite, por ka disa elemente të vërteta historike. Caltanissetta u themelua nga arabët dhe ka të ngjarë të ketë ekzistuar një harem që emiri e mbante të mbushur me gra, të cilat gatuanin, ndër të tjera, edhe cannolo. Emri Caltanissetta vjen nga arabishtja ‘qal-at-nisa’, që përkthehet “qyteti i grave”. Disa shkrimtarë latinë e kanë përmendur shpeshherë ekzistencën e një “qyteti grash”, duke iu referuar si castro feminarum.”

Roberto Gambino, kryebashkiak i Caltanissetta

“Qyteti i grave”

Siçilia ka qenë nën sundimin arab për qindra vjet, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore, që përfshin edhe traditat e kulinarisë. Edhe pse ka dëshmi se cannoli-t datojnë që nga koha e lashtë romake, receta që ekziston sot është me origjinë arabe.

Sipas një miti, “gratë brenda kështjellës” përgatisnin ëmbëlsirat për të mirëpritur të dashurit e tyre. Forma e tyre e zbrazët u krijua nga mbështjellja e brumit rreth kallamishteve të sheqerit të kultivuara në fushat përreth. Guaska e jashtme, e cila qëndronte e freskët për ditë të tëra, mbushej me rikota të freskët minutën e fundit, pikërisht përpara se të shërbehej.

Më pas, historia merr një kthesë të papritur, pasi sipas një rrëfenje tjetër, receta e kësaj ëmbëlsirë u zhvendos nga haremi te manastiret aty pranë dhe u bë popullor nga murgeshat vendase. Ato e përgatitën atë si një pastë tipike që mund të shërbehej gjatë karnavaleve. Adhurimi i objekteve dhe ëmbëlsirave në formë falike konsiderohej një mënyrë për të festuar pjellorinë dhe jetën.

Sipas mjeshtrit të pastiçerisë vendase, Lillo Defraia, i cili ka shpenzuar 25 vjet duke hulumtuar origjinën e kësaj ëmbëlsire, “gratë në kështjellë” ua dorëzuan recetën e tyre murgeshave, të cilat kishin një traditë të gjatë të bërjes së pastave. Ai beson fuqimisht se cannolo ka lindur në Caltanisseta dhe historitë erotike rreth origjinës së kësaj ëmbëlsirë janë shumë më tepër se thjesht një mit. Mendohet se murgeshat e përmirësuan recetën origjinale arabe duke shtuar përbërës të tjerë.

Sido që të jetë e vërteta, cannolo mbetet një nga ëmbëlsirat më të dashura dhe më të famshme të Siçilisë sot dhe përgatitet veçanërisht gjatë së dielës së Pashkëve.

//zeechumy.com/4/5086363