OVLUÇK protestojnë kundër Gazmend Muhaxherit

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë reaguar ashpër ndaj intervistës së kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri dhënë gazetës austriake Der Standard disa ditë më parë.

Në këtë intervistë ndër të tjera Muhaxheri ka thënë se “Do duhen më shumë se 20 vjet, që kuadrot e UÇK-së të zhduken nga politika” duke thënë se ka motive denigruese dhe të verbra politike, që po ashtu kanë qëllim njollosjen e vlerave dhe krenarisë së UÇK-së.

Në këtë intervistë po ashtu Muhaxheri ka folur për ish-komandantin Ramush Haradinaj duke ia ngarkuar atij vrasjet që kanë ndodhur gjatë luftës.

OVL e UÇK-së thotë se kanë theksuar vazhdimisht se të gjitha akuzat dhe proceset gjyqësore ndaj luftëtarëve, që nga përfundimi i luftës së UÇK-së, e që fatkeqësisht po vazhdojnë edhe sot, kanë qenë dhe janë të motivuara politikisht, të ardhura nga akuzat e pushtuesit serb dhe kolaboracionistët shqipfolës.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë kundër pushtuesit dhe qëllim ka pasur çlirimin e vendit, prandaj, ata që prekin në vlerat e kë saj lufte, prekin edhe në lirinë e vendit tonë. Me këtë rast, përkrahim protestën e organizuar në Pejë ditën e mërkurë ora 12:00, dhe ju bëjmë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masovikisht”, thuhet në komunikatën e OVL-UÇK-së. /KP/